E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani Xhani shet aksionet

Pasi fitoi gjyqin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe rikthimit në skenë, madke duke premtuar ndërtimin e një Partizani të denjë për t’u rikthyer në Superligë, Albert Xhani duket se është tërhequr përfundimisht.

Spektakli me prezantimin e kolonisë greke për sezonin e ri, të udhëhequr nga trajneri Kozinos zgjati vetëm pak ditë, sepse Xhani dhe aksioneri i dytë i klubit, Paro Laçi gjetën akordin që ta drejtojë së bashku klubin legjendar, ndërsa në stol u konfirmua Nikolin Çoçlli.

Megjithatë, rikthimi në skuadër i ish-presidentit zgjati fare pak. Kjo sepse Xhani tashmë ka vendosur përfundimisht të shesë aksionet e Partizanit, duke mos qenë më pjesë e të kuqve. Kjo është konfirmuar nga një deklaratë për media e shpërndarë nga aksioneri Paro Laçi.

“Tanimë mund të them se Albert Xhani nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Partizanit. Procedurat për shitjen e 60% të aksioneve të tij, janë duke u përpiluar në një studio ligjore, e cila do të bëjë të gjitha veprimet. Unë si ortaku i dytë i Shoqërisë “Partizani sh.a”, kam të drejtën e parablerjes së këtyre aksioneve dhe një gjë e tillë më ëshë kërkuar nga aksioneri maxhoren, Albert Xhani”, bënte të ditur aksioneri Laçi.

Mes të tjerave aty theksohej: “Pranë skuadrës së Partizanit shumë shpejt do të afrohen njerëz të cilët kanë kontribuar edhe më parë në këtë ekip dhe me mbështetjen e donatorëve të rinj, shumë shpejt ekipi do të jetë në Superiore”.

Një rikthim i mundshëm është ai i aksionerit Lulzim Sallaku, i cili ka zotëruar 10 për qind të aksioneve, por kur filluan përçarjet ndërmjet Xhanit dhe Laçit, vendosi ti shiste. Ndërkohë, Partizani po vazhdon përgatitjet për sezonin e ri në Kategorinë e Parë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›