E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, aromë “Superiore”



Partizani grumbulloi tri pikë të arta në fitoren 1-0 kundër Elbasanit në “Selman Stërmasi” në ndeshjen përmbyllëse të javës së 25-të të Kategorisë së Parë, përpara së “demat e kuq” të përballen me Lushnjën në “Roza Haxhiu”, me të cilën ndodhen në kuotë të barabartë pikësh, nga 48. Tashmë tabloja e pesë vendeve të para ka këtë panoramë: Bylisi (63 pikë), Elbasani (49), Lushnja (48), Partizani (48) dhe Kamza (47). Në një stadium entuziast, me një numër të konsiderueshëm tifozësh nga të dyja kampet, Rrahman Hallaçi harkoi në zonën e Elbasanit, Renato Yshmeri gaboi duke ia dhuruar topin Erjon Rizvanollit dhe sulmuesi i Partizanit, goditi pa menduar dy herë duke shënuar në minutën e 39-të në portën e mbrojtur nga Mançevski. Partizani jo vetëm që regjistroi ndeshjen e 15-të pa humbje, por lojtarët e tij tashmë do të arkëtojnë edhe nga 2 milionë lekë, si pjesë e paketës së serisë me katër fitore rresht, e ku përfshiheshin ndeshjet me Bilishtin, Pogradecin, Turbinën dhe Elbasanin. Partizani i Gerti Haxhiut (asnjë humbje), pas një faze të parë të dyshimtë, e ku u larguan dy trajnerë, Eduard Zhupa dhe Skerdi Bejzade, është më pranë se kurrë rikthimit në Kategorinë Superiore, aty ku të kuqtë kanë fituar 15 tituj kampionë.
Të kuqtë e Gerti Haxhiut, të cilët nuk humbasin qysh nga humbja 0-2 në shtëpi me Lushnjën, më 21 nëntor 2009 (humbja e vetme në shtëpi), ndaj së cilës do të përballen në javën e 26-të, që ofron këtë kalendar: Elbasani-Burreli, Memaliaj-Gramshi, Lushnja-Partizani, Kamza-Skrapari, Turbina-Bilisht Sport, Pogradeci-Sopoti, Besëlidhja-Bylis dhe Ada-Luftëtari. Lista e golashënuesve në Kategorinë e Parë udhëhiqet nga Dorian Bubeqi i Lushnjës me 20 gola, i ndjekur nga Romeo Hamzai i Bylisit (16) dhe Klevis Dalipi i Kamzës (12).

KATEGORIA E PARË
JAVA 25

13.04.2010, ora 15:00
Partizani-Elbasani 1-0
Rizvanolli 39’

NDESHJET E PARTIZANIT
Java 26: Lushnja-Partizani
Java 27: Partizani-Memaliaj
Java 28: Gramshi-Partizani
Java 29: Partizani-Burreli
Java 30: Partizani-Skrapari

NDESHJET E ELBASANIT
Java 26: Elbasani-Burreli
Java 27: Skrapari-Elbasani
Java 28: Elbasani-Luftëtari
Java 29: Bilisht Sport-Elbasani
Java 30: Elbasani-Bylis

Dinamo, faza e tretë e shëmtuar

Dinamo është duke bërë një fazë të tretë jo të pëlqyeshme, kur në pesë ndeshjet e para ka arritur vetëm një fitore me Gramozin e vendit të fundit (1-0). Në katër ndeshjet e tjera, blutë - të cilët e kanë të sigurt titullin kampion (kanë +15 pikë më shumë se vendi i dytë, Besa, 43 pikë)- kanë barazuar 1-1 me Kastriotin, dhe kanë humbur me Skënderbeun (4-3, në Korçë), Flamurtarin (2-1, në Vlorë) dhe së fundi me Vllazninë (1-2, në Tiranë). Pra në total, Dinamoja e Shkëlqim Muçës ka grumbulluar 4 pikë nga 15 të mundshmet. Blutë janë eliminuar edhe nga Kupa e Shqipërisë, me dy humbje në çerekfinale ndaj Shkumbinit: 2-1 në Peqin dhe 0-1 në Tiranë.

Vllaznia, tetë javë pa humbje

Në pjesën e parë të sezonit, Vllaznia alarmoi jo vetëm tifozerinë e saj, por dhe të gjithë ekspertët e futbollit, teksa shihnin një skuadër të pa stabilizuar dhe të renditur në vendet e fundit, aq sa të gjithë kujtonin sezonin 1956 kur shkodranët ranë për herë të parë dhe të fundit një kategori më poshtë. Ekipi i presidentit Valter Fushaj e nisi me Hasan Likën në bankinë, por pas pesë javësh të dobëta, trajneri aktual i Apolonisë dha dorëheqjen. Pasuesi i tij, Roland Luçi (i ardhur nga Austria) u përpoq të ndryshonte imazhin e klubit më të vjetër në Shqipëri, ndërkohë që Edi Martini, trajneri i tretë sezonal i 9-herë kampionëve të Shqipërisë, duket se ka gjetur ekulibrat që i mungonin skuadrës. Vllaznia nuk humbet prej tetë ndeshjesh, nga java e 20-të kur fitoi 0-1 me Tiranën në kryeqytet, dhe deri të fitorja e javës së 27-të (e fundit e luajtur) me Dinamon po në “Qemal Stafa” (1-2), ka mundur të regjistrojë gjashtë fitore (katër radhazi) dhe dy barazime, çka i ka ngjitur shkodranët në vendin e gjashtë, por me pikë të barabarta, nga 39, me Laçin e Shkumbinin, që nga ana e tyre ndajnë vendet 4-5. Nga 12 golat e shënuar në tetë ndeshjet e fundit, pesë prej tyre mbajnë firmat e lojtarëve të huaj të shkodranëve, ku spikasin blerja dimërore, sulmuesi boshnjak Sead Haxhibuliç (2 gola), dhe nga një gol mbrojtësi maliazias Blazo Rajoviç (2 gola me penallti) dhe malaziasi tjetër Zejko Mrvaljeviç (1 gol). Golat “shqiptarë) mbajnë firmat e Elvis Krajës(2), Ndriçim Shtubinës (2), Bekim Balës (1), Amarildo Belishës (1) dhe Ansi Nikës (1, goli i tij i parë me fanellën e Vllaznisë). Vllaznia ndodhet edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku më 9 maj në “Qemal Stafa” do të presë Besën e Kavajës, në kërkim të trofeut të 7-të këtij kompeticioni.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›