E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bild”: Shumi nuk fiton asnjë garë në 2010-n



Mikael Shumaker nuk do të fitojë asnjë garë këtë sezon në Formula 1. I këtij mendimi është reporteri i “Bild”. Frank Schneider, i cili ka përcjellë për lexuesit e gazetës më të shitur në Europë, emocionet e titullit të shtatë kampion të gjermanit, ka deklaruar edhe tri arsye, që sipas tij, do ta lënë pas asnjë Grand Prix, 41-vjeçarin Shumi në rikthimin e tij të madh. Shumi u rikthye pas tre viteve pushim në Formula 1, megjithatë ai mbetet piloti më i mirë i të gjitha kohërave. Pas tri garave zhgënjimi i tij është i madh: vendi i 6-të, vendi i 10-të dhe një tërheqje nga gara, 9 pikë. Në skuderinë e tij, Mercedes GP, ai është tani numri 2 pas Nico Rosberg (35 pikë), ndërkohë që ëndrra për një të qenë sërish kampion i botës është shumë larg. Frank Schneider përmend tri argumente. Puna e një legjende si Shumi është e madhe. Por ndërkohë, që dhe top-yjet e tjerë në Formula 1 janë në top-formë. Ai duhet të luftojë kundër një grupi të madh favoritësh për të fituar Kampionatin Botëror. Shumi u kthye në dhjetor të vitit 2010, duke bërë vetëm 3200 kilometra, për t’u ambientuar me makinën e tij të re. Tani atij i duhet të bëjë një punë të jashtëzakonshme për të kuptuar të gjitha të fshehtat e Mercedes Gp. Derisa ai të rifitojë agresivitetin e dikurshëm i duhet jo pak kohë. Shumi pas tre vitesh pushim nuk është bërë më i mirë. Përkundrazi, kundërshtarët e tij janë përmirësuar shumë. Ai ka përpara tani në vitin 2010, pilotë më të shpejtë se më parë, në vitin 2007: Vettel, Massa, Hamilton, Button dhe Alonso. Të gjithë këta kanë nga një makinë, e cila është e mjaftueshme për të fituar titullin. 3. Mercedesi i Schumit nuk është i shpejt mjaftueshëm për fitore dhe për fuqitë e tij. Skuderia është duke punuar për të përmirësuar makinën për garën e Barcelonës, më 9 maj. Por dhe skuderi të tjera të mëdha, si Ferrari, Red Bull dhe McLaren janë duke i zhvilluar makinat akoma më tej, për më tepër që kanë dyfish personel se sa Mercedes. Nga ana tjetër, jo gjithçka bazohet te makina, pasi shoku i tij i ekipit, Niko Rosberg, është më i shpejtë se Shumi. Ai është më i fuqishëm se Mikael, pavarësisht se nuk ka pasur asnjë shans për të fituar ndonjë nga tri garat e para. Shumi ka nënshkruar një kontratë tri vjeçare me Mercedes. Ky sezon mund të shërbejë që kombinimi Schumi &Silberpfeil (shigjetat e argjendta) të formojë një ekip fitues, e ndoshta në vitin 2011 mund të vijë edhe fitorja e kampionit të madh gjerman.

Kahn kritikon Shumakerin: “Gaboi!”

Të dy janë legjenda të mëdha të sportit gjerman. Njëri një portier i madh, tjetri një pilot i madh në Formula 1. Thuajse kanë të njëjtën moshë, të dy kanë lindur në vitin 1969. Megjithatë, tani më pak i riu ka disa këshilla për më të vjetrin.
Olivier Kahn (40 vjeç) kritikon Mikael Shumakerin (41). Nënkampioni i botës Olivier Kahn nuk mund ta kuptojë, se përse Shumi u rikthye edhe një herë sportit. Rekordmeni i botës gaboi, mendon Kahn, nuk e detyronte askush të rikthehej. Kahn për “Focus”: “E konsideroj rrugën e Shumakerit shumë problematike”. Ish-portieri i Kombëtares: “Unë i uroj atij që ta gjeje jetën diku tjetër, unë këtë pres prej tij”. Shumi nuk reagoi aspak prej kritikave të titanit të portës “Gara më jep kënaqësi, kjo është e gjitha”. Por deri tani pas tri garash ka grumbulluar 9 pikë.

Zhgënjeu Fergusonin, Berbatov drejt largimit

Mund të zgjasë vetëm dy sezone aventura e Dimitar Berbatov me bluzën e Mançester Junatid. Sulmuesi bullgar, i mbërritur në “Old Trafford” në shtator të vitit 2008 nga Tottenham për një shifër të rëndësishme prej 30 milionë sterlina, nuk gëzon më besimin e trajnerit Sir Alex Ferguson. Berbatov nuk ka dëshmuar aspak vlerat e tij gjatë momenteve decizive të këtij dhe sezonit të kaluar, dhe duke hedhur një sy në portofolin, parë dhe krizën financiare të “Red Devils”, bullgari, sipas asaj që shkruan “The Sun”, mund të jetë një nga të parët që mund të sakrifikohet në prag të fillimit të sezonit të ardhshëm.

Suarez: “Nuk largohem nga Ajaksi”

Sulmuesi uruguaian i Ajax, Luis Suarez, është një nga lojtarët më të dëshiruar të klubeve të mëdha europiane. Për televizionin e njohur holandez AT5, futbollisti shprehu dëshirën se ai synon të qëndrojë në grupin e “harkëtarëve”: “Më pëlqen Ajax. Do të qëndroj këtu”. Për Luis Suarez interesohen gjigantët anglezë Çelsi dhe Mançester United. Sulmuesi uruguaian ka qenë shumë prodhimtar këtë sezon në Eredivisie, duke qenë një nga golashënuesit më të mirë në Europë me 32 gola. Suarez shënoi tre gola në fitoren 7-0 këtë javë të Ajax kundër VVV-Venlo. Suarez do të luajë në Kupën e Botës 2010 me Uruguain, së bashku edhe me sulmuesin e Atletiko Madrid, Diego Forlan.

Dëmtohet Iniesta, humbet Interin

Lajm i trishtuar në shtëpinë e Barcelonës, por jo për kundërshtarët. Andres Iniesta është dëmtuar në stërvitje dhe duhet të qëndrojë një muaj larg fushave, pas këputjes së bicipalit femoral të këmbës së djathtë. Iniesta do të humbasë dy ndeshjet gjysmëfinale të Champions League kundër Inter, dhe gjashtë takimet në Primera Division kundër Deportivo, Espanyol, Xerez, Villarreal, Tenerife dhe Sevilja. Daniel Alves i Barcelonës bëri të ditur se për momentin për të Uejni Runi i Manchester United është futbollist më i mirë se Cristiano Ronaldo në raportin direkt. “Unë kam një dobësi për Runi, ai është i pabesueshëm, thjesh i tillë. Është fantastik. Mënyra se si ai punon është perfekte. Rooney është më i mirë se Cristiano Ronaldo, por Ronaldo e kishte lënë atë në hije kur të dy luanin te Manchester United. Tani Manchester luan më mirë pa Ronaldo”. Sipas mbrojtësit të katalansve, Cristiano Ronaldo është në hije këtë sezon. “Pa dyshim që Messi është lojtari më i mirë në botë deri tani.

Çelsi, 55 milionë për David Vijën

Çelsi i miliarderit rus Roman Abramoviç dëshiron të kthehet protagoniste e rëndë në merkaton verore. Sipas gazetës sportive spanjolle “As”, klubi anglez i trajnuar nga Ançeloti, është i gatshëm të ofrojë 55 milionë euro për sulmuesin spanjoll të Valencia, David Villa. Villa ka shënuar katër gola në tri ndeshjet e fundit të Valencias, duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë këtë sezon në Primera Division, pas Lionel Mesi.

Milan -Ronaldinjo, rinovimi në prag

Me gjithë zërat e vazhdueshëm për një interesim në rritje të klubeve angleze, e ardhmja e Ronaldinjo duket se do të jetë e lidhur gjithmonë e më shumë me Milanin. Braziliani, sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello sport” nuk është i gatshëm për një transferim në Angli dhe tashmë ka arritur marrëveshjen për të qëndruar kuqezi deri në vitin 2014. Pasi të jetë arritur siguria matematikore për vendin e tretë dhe pjesëmarrja në Champions League për sezonin e ardhshëm do të vendoset edhe firma në kontratë.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›