E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zherard ëndërron Champions

21/02/2005  Kapiteni i Liverpulit Stiven Zherard iu ka kërkuar shokëve të skuadrës që të jenë më të përqendruar në takimin e mesjavës kundër Bajer Leverkusenit. Edhe një herë ai ka bërë të ditur se vetëm Liga e Kampioneve është ëndrra e tij për këtë sezon i shoqëruar me rezultate aspak pozitive. Për fatin e tij të keq kapiteni Zherard nuk do të jetë në krye të skuadrës së tij në sfidën me gjermanët sepse është i skualifikuar. Ai ka shprehur hapur shqetësimin për shokët e skuadrës, të cilët do ta ndjejnë së tepërmi mungesën e tij në takimin që do të zhvillohet në “Anfilld Roud”. “Jam i pezulluar për takimin e parë në Ligën e Kampioneve, gjë e cila më ka futur në një stres të madh, ka thënë Zherard. Le të shpresojmë se shokët e skuadrës do të arrijnë një rezultat pozitiv në mënyrë që edhe unë të jem më i përkushtuar për takimin e kthimit”. Mungesa e Zherard do të jetë një shqetësim i madh si për trajnerin Rafael Benitez, por edhe për gjithë skuadrën. Qysh prej transferimit të Majkëll Ouen te Real Madrid, mesfushori 24 vjeçar ka marrë përgjegjësitë më të mëdha për udhëheqjen e Liverpulit drejt sukseseve të mëdha si në Premier Ligë edhe në Evropë. Me golin e tij të shënuar ndaj Olimpiakosit ai i ka dhuruar Liverpulit biletën e kualifikimit për në Ligën e Kampioneve. “Një kompeticion si Liga e Kampioneve është maksimumi për skuadrën tonë, ka shtuar Zherard. Për ne është e rëndësishme që të ruajmë qëndrimin tonë aq gjatë sa të kemi mundësi. Kjo vlen jo vetëm për aspektin financiar, por edhe për formën tonë në nivel skuadre. Po ta shohësh në letër takimi ynë me Leverkusen duket i thjeshtë, por ndoshta mund të bëhet më i rrezikshmi. Leverkusen është një skuadër e fortë dhe do të kërkoj me çdo kusht kërkimin e rezultatit pozitiv në shtëpinë tonë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›