E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ashpër kundër dhunës

Huliganizmi ka filluar të lulëzojë në futbollin kosovar, si në çdo pranverë. Të dielën në Gjilan u pa gjithçka, pos futbollit. Ministri i Sportit, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Federata e Futbollit, organet e rendit dhe gjithë mekanizmat tjerë që të marrin masa. Ndërkohë, nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu, paralajmëron dënime të ashpra për huliganët.

Në futbollin e pasluftës është bërë zakon që në stinorin pranveror të ashpërsohen dhe të çoroditen ekipet dhe tifozët e tyre. Pothuajse çdo vit ndodhin incidente në pjesën e dytë të sezonit, qoftë sulme ndaj gjyqtarëve, ndaj futbollistëve apo edhe përleshje ndërmjet tifozëve.

Rasti më i freskët ishte ai i së dielës, kur më së keqi e pësoi gjyqtari anësor i ndeshjes Gjilani – Hysi, Erduan Baliqi, i cili u sulmua nga huliganët, pas një mosmarrëveshjeje me gjyqtarin kryesor Sokol Domi, rreth golit të Hysit.

Në minutat e fundit, dajak hëngri edhe portieri i mysafirëve, Afrim Ademi, të cilin e sulmuan fizikisht futbollistët gjilanas dhe pritësit e topave, që rrinë prapa portës.

Pas këtij incidenti, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Sportit, Memli Krasniqi, i cili është i indinjuar dhe i ka dënuar ashpër aktet e dhunës të shprehura në stadiumet e vendit tonë.

Sipas tij, veprime të tilla qyqare janë të papranueshme për të gjithë dhe e dëmtojnë rëndë vizionin dhe qëllimin tonë për të qenë një shembull i mirë në rajon për gara fer dhe cilësore. Ai ka kërkuar nga Federata e Futbollit e Kosovës të marrë masa rigoroze ndaj huliganëve dhe klubeve që e prishin rrjedhën e kampionatit.

“Sot, të gjithë ne jemi fokusuar që ta thyejmë izolimin, që padrejtësisht po i bëhet Kosovës në sport dhe veprime të tilla e pengojnë shumë përpjekjen tonë drejt arritjes së këtij qëllimi. Ne duhet t’ia tregojmë botës vlerat tona më të mira sportive. Edhe në kohëra më të vështira ne kemi treguar një frymë të fair-play në gara dhe një frymë e tillë, edhe më e fuqishme, madje duhet të na përcjellë edhe tash”, ka thënë ministri.

“Dua të kërkoj me këtë rast nga Federata e Futbollit e Kosovës, klubet, organet e rendit dhe gjithë mekanizmat tjerë që t’i marrin masat e duhura, konform përgjegjësive të tyre, që akterët e këtyre veprimeve, jo vetëm të së dielës, por edhe të të gjitha rasteve tjera, të marrin dënimet e merituara. Është momenti i fundit që bashkërisht të punojmë shumë që skena të tilla të mos përsëriten”, shtoi Krasniqi.

Ai e konfirmoi përkrahjen e plotë për zhvillim cilësor të garave, duke i përmirësuar kushtet në stadiume dhe palestra, si dhe duke nxjerrë aktet e nevojshme legjislative, që do të jenë bazë kryesore e veprimeve të të gjitha institucioneve.

Ndërkohë, dhunën e ka dënuar edhe Federata e Futbollit e Kosovës. Nënkryetari i saj, Bekim Haxhiu insiston se FFK do të ndërmarrë masa rigoroze ndaj huliganëve dhe do të shqiptojë dënime të ashpra ndaj klubeve, në mënyrë që të paktën të minimizohen këto raste.

“Nuk do të ketë tolerime ndaj askujt që tenton ta dhunojë futbollin kosovar. Huliganët mendojnë më shumë për 1 ose 3 pikë sesa për faktin se ia rrezikojnë jetën dikujt. Tri pikë nuk janë më të vlefshme se lëndimi i gjyqtarit apo portierit”, deklaroi fillimisht Haxhiu.

Ai ka kërkuar nga komisionet përkatëse që t’i marrin vendimet e duhura. Në të kundërtën, paralajmëron se edhe këta të fundit mund të ndëshkohen. “Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do t’i ndërrojmë të gjithë. Do t’i ndërrojmë të gjithë ata matrapazë që janë sjellë kah Federata për interesa të ndryshme dhe do të sjellim gjak të ri”, shtoi ai.

Haxhiu mendon se mungesa e një sistemi të drejtësisë, funksional, po ndikon që të mos merren sanksionet e duhura për huliganët. Ai kërkon që drejtësia të merret më seriozisht me këta njerëz, të cilët në vitet e pasluftës janë motivuar të ndërmarrin ‘aksione’ të tilla pasi nuk janë dënuar.

Ai kërkoi edhe nga policia të jetë më aktive, pasi që e ka detyrë kushtetuese t’i sigurojë ndeshjet zyrtare, pasi një gjë të tillë e ka për obligim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›