E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë fitore në tavolinë

Hysi ka bërë ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës, pas ngjarjeve që ndodhën në ndeshje me Gjilanin. Klubi nga Merdara kërkon fitore në tavolinë, pas sulmit që iu bë gjyqtarëve dhe dëmit që ia bënë këta të fundit kampionit aktual.

Skuadra e Hysit është ankuar në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), përkatësisht në organet gjegjëse, për ndeshjen me Gjilanin, ku nuk munguan ekseset.

Skuadra llapjane ka kërkuar nga shtëpia e futbollit kosovar që takimi i zhvilluar të dielën në Gjilan - e që përfundoi me rezultat të barbarët 1:1 - të regjistrohet me rezultat zyrtar në të mirë të kampionit në fuqi.

Arsye për këtë ankesë është sulmi ndaj gjyqtarit anësor Erduan Baliqi dhe dëmin që ia shkaktuan gjyqtarët ekipit bardh e zi. “E kemi bërë një ankesë në Federatë. Kërkojmë që t’i marrim të tria pikët ne”, ka thënë shefi ekzekutiv i Hysit, Afrim Macula.

Sipas tij, ngjarjet që ndodhën në Gjilan, në duelin i cili përfundoi baras, 1:1, nuk e çojnë askund futbollin kosovar. “Presim nga Federata që të ndërmarrë masa për të mos ndodhur më incidente të tilla. Shpresoj që mos të përsëriten më këto skena, sepse janë në dëm jo vetëm të Hysit, por edhe të futbollit kosovar”, vazhdoi zyrtari i lartë i klubit nga Merdara.

Ai njoftoi se gjendja e portierit Afrim Ademi nuk është e mirë. Drejtuesit e Hysit e kanë dërguar sërish në spital futbollistin e tyre të dielën mbrëma për ta kuruar. Ndërsa, drejtuesit e Gjilanit nuk kanë dashur të prononcohen të hënën, pasi që njoftuan se një gjë të tillë do ta bëjnë të martën, pas mbledhjes së kryesisë së klubit.

FFK: Secili do të japë llogari

Ndërkohë, Komisioni i Garave (KG) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) sot do të mbajë mbledhje, ku do të iniciojë procedurë disiplinore ndaj atyre që shkaktuan incidente në fundjavë.

“Do të iniciojmë procedurë disiplinore dhe do të veprojmë konform rregulloreve. Do të diskutojmë për disa ndeshje, si për atë Gjilani – Hysi dhe Trepça – Vëllaznimi. Do të veprojmë në harmoni me rregulloret. Nuk do të ketë pardon për askënd. Secili do të japë llogari për veprimet që ka bërë”, deklaroi kreu i KG-së.

Komisioni i Garave do të iniciojë procedurë disiplinore ndaj tifozëve që shkaktuan probleme në Gjilan, ndërsa më pas do të vendosë Komisioni Disiplinor për dënimet që do të merren.

Po ashtu, KG do ta shqyrtojë edhe kërkesën e Vëllaznimit, që e ka kërkuar fitoren në tavolinë ndaj Trepçës, pasi që gjakovarët pretendojnë se mitrovicasit e kanë futur në lojë një lojtar, i cili nuk figuronte në protokoll.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›