Partizani, “hakmarrje” e fitore mes kartonësh
Leonard Karaj
Fitojnë “të mëdhatë”. Bylisi, Lushnja, Elbasani, pore dhe Partizani. “Demat e kuq” morën hak ndaj Adës për humbjen shokuese 5-0 të fazës së parë. Barazimi i vetëm në Memaliaj, ndërsa u shty për shkak të kushteve të motit, Burreli-Turbina.Për kronikë, Bylisi nuk thyhet dot as në Gramsh, ku ka fituar 1-0. I përhershmi Romeo Hamzai ka siguruar tre pikët e vazhdimësisë për skuadrën ballshiote e cila vazhdon galopimin e saj drejt Kategorisë Superiore. Bylisi është 9 pikë para ndjekësve më të afërt Lushnjës dhe Elbasanit por duke parë edhe nivelin e lojës që ka treguar në çdo ndeshje duket i pakapshëm për këtë sezon. Nga ana tjetër Elbasani ka mundur 2-0 Pogradecin, në “Ruzhdi Bizhuta”, ndërsa Lushnja ka fituar minimalisht, 1-0, ndaj Kamzës.
Verdheblutë, të drejtuar tashmë nga Krenar Alimehmeti kanë vënë veton në fushën e lojës duke dominuar totalisht mbi pogradecarët. Dopietë e Dervishit në fundet e dy pjesëve solli edhe tripikëshin e parë të “epokës” Alimehmeti. Ndërsa në “Roza Haxhiu”, Lushnja e pa pisk me Kamzën, skuadër kjo mjaft e fortë në mbrojtje por e dobët përsa i përket konkretizimeve. Goli i Dorian Bubeqit rezultoi, mjaft i vlefshëm në fundin e këtij takimi. Tashmë lushnjarët dhe elbasanasit ndajnë me pikë të barabarta vendet e dytë dhe të tretë në renditje.
Ndërkohë që në “Selman Stërmasi” të kryeqytetit Partizani ka mundur pastër, 2-0, Adën e Velipojës, edhe me lojë të mirë, sidomos në pjesën e parë. Dy eurogola, të shënuar nga Kapaj dhe Karapici, u kanë dhënë fitoren të kuqve, që tashmë shikojnë më lart në renditje. Për tu theksuar kanë qenë dy kartonë të kuq që janë dhënë në këtë ndeshje nga arbitrit kryesor Ervis Peza. Në fillim ai ka ndëshkuar portierin velipojak, Elis Dervishaj, pas një ndërhyje të gabuar ndaj sulmuesit Rezart Maho. Ndërsa i dyti për mbrojtësin shtatlartë Raimond Shala, i cili pas një aksioni në mesfushë, ndërhyn keqas në dëm të një lojtari të Velipojës.
Ndërkohë në takimet e tjera të kësaj jave Bilishti ka mundur Luftëtarin e Gjirokastrës, ndërsa Skrapari rigjen fitoren në shtëpi, 2-0 ndaj Sopotit.