Zjarr në stadium, digjet traseja mbrojtëse
Dëmtohet në orët e mbrëmjes traseja mbrojtëse e lojtarëve në stadiumin Gjirokastra. Një zjarr i shkaktuar nga pakujdesia ka shkaktuar djegien plotësisht të mbulesës nga ku dalin në fushë kryesisht lojtarët e ekipit Luftëtari. Menjëherë pas informacionit në vendngjarje ka mbërritur efektive të zjarrfikëses por në pamundësi për të shuar zjarrin, mbulesa është shkrumbuar. Sipas burimeve nga drejtues të klubit të Luftëtarit dëmi i shkaktuar në stadium llogaritet në rreth 4000 euro ndërsa blerja e kësaj traseje ishte siguruar nga donatorë të ndryshëm. Burime të ekspertizës hetimore që kanë mbërritur në vendngjarje kanë pohuar se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia e disa fëmijëve të vegjël që kanë qenë duke luajtur pranë hyrjes kryesore të stadiumit duke i vënë zjarrin trasesë mbuluese.