E Shtunë, 31 Tetor 2026

SOS nga Libia, anija me 13 shqiptarë 1 muaj e bllokuar



DURRES/ OERD ULQINI

Zgjat prej 30 ditësh “odiseja” e një anijeje mallrash me flamur shqiptar, e cila qëndron e bllokuar në ujërat e Afrikës së Veriut. Autoritetet doganore të shtetit afrikan nuk japin “OK” e largimit të transoqeanikut shqiptar nga ujërat e tyre territoriale. Bëhet fjalë për anijen e tonazhit të mesëm “Brustel”, e cila që prej datës 22 janar ka hedhur spirancën në radën e portit Nisurata të Libisë. Anija shqiptare ka mbërritur në Libi, pas lundrimit nga Tunizia. Mësohet se ky mjet lundronte kryesisht në itineraret e Mesdheut, duke transportuar drithëra, çimento, skrap e materiale të tjerë. Kapiteni i kësaj anijeje që ka 13 frymë në bord, Armando Ulqinaku, shprehet se “nuk mund të largohemi nga ujërat afrikane, pasi për punë faturash të pashlyera, autoritetet e atjeshme kanë bllokuar dokumentacionin e anijes”. Sipas deklaratës së tij, e cila është përcjellë në media, Kapitanerinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, kompania i detyrohet agjencisë së udhëtimit shumën e 39 mijë eurove”. Situata e ekuipazhit shqiptar është e komplikuar edhe për shkak të një fatkeqësie familjare që i ka ndodhur njërit prej anëtarëve të ekuipazhit, i cili 24 orë më parë ka humbur gruan pas një sëmundjeje të gjatë në Durrës. Por duket se edhe për këtë rast të jashtëzakonshëm, autoritetet e shtetit afrikan nuk kanë vënë dorën në zemër duke i komunikuar kapitenit se “marinari në fjalë nuk lëviz nga Libia, pa u shlyer detyrimet”. Por pretendimi i kapitenit është rrëzuar nga pronari i anijes, Alban Tepshi, i cili tha se “anija nuk i ka borxh askujt dhe se vonesa ka ardhur vetëm për shkak të pritjes së një ngarkese”. Nga ky këndvështrim, anija shqiptare duket krejtësisht e çliruar dhe sipas Tepshit, të hënën kjo çështje do të zgjidhet dhe anija do të marrë kursin drejt Italisë për vijimin normal të punës. “Brustel” ndonëse me një moshë 30-vjeçare, është një prej anijeve më të reja të flotës tonë tregtare. Ky fakt konfirmohet edhe nga Regjistri Detar i Shqipërisë, si një shoqëri klasifikuese, i cili bën me dije se me flamur shqiptar lundrojnë edhe anije 40 apo 50-vjeçare. E parë nga ky këndvështrim edhe gjendja teknike e kësaj anijeje, duhet të jetë ndër më të mirat e atyre mjeteve që përbëjnë flotën tregtare të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›