Atentatet, socialistët ngrihen në protestë
VLORE – Rreth 100 socialistë protestuan mesditën e djeshme ndaj ngjarjeve kriminale që rrezikuan jetën e dy anëtarëve të saj në Vlorë. Ata bllokuan për 30 minuta hyrjen e qytetit, duke akuzuar Qeverinë për mbrojtje të autorëve të krimit, i pari ndaj këshilltarit socialist Morand Hoxha dhe i dyti ndaj kreut të PS-së së Vlorës dhe deputetit, Eltar Deda. Me banderola në duar, anëtarë të PS-së së Vlorës, mes të cilëve ndodhej dhe vetë Deda, kanë lëshuar thirrje për vendosjen e rendit dhe sigurisë në qytet. Përpara protestuesve ka folur kreu i grupit të socialistëve në Këshillin Bashkiak, Kujtim Sulçe. “Kriza politike e ekonomike po dëmton qytetin e Vlorës dhe po prek gjithmonë e më shumë sigurinë e qytetarëve”, u shpreh ai. Sekretari i PS-së, Edmond Leka, deklaroi se “përballë këtyre akteve kriminale, pa dallim force politike e bindjesh politike duhet të bashkohemi të gjithë për t’i dënuar”. Ndërsa Deda, në makinën e të cilit u gjetën dy ditë më parë shishe të mbushura me benzinë, akuzoi personalisht kryeministrin Berisha. “Inatin e tij ndaj qytetit të Vlorës e ka thelluar dhe ka bërë që kjo të prishë dhe ekuilibrat në nivel lokal”. Deputeti u ka bërë thirrje strukturave policore të bëjnë punën e tyre dhe të jenë prezent në qytet, që jeta e banorëve të Vlorës të mos jetë në rrezik. q.b