Durrës, sherr në Pallatin e Kulturës
Skandal në Pallatin e Kulturës "Aleksandër Moisiu" të Durrësit. Një aktivitet artistik i organizuar nga shoqata kulturore-intelektuale "Durrësi", me rastin e ardhjes së pranverës, është shndërruar në mollë sherri mes artistëve durrsakë dhe drejtuesve të shoqatës. Pagesa e artistëve të ardhur nga zona të tjera dhe lënia mënjanë e atyre të trupës së Durrësit ka ndezur gjakrat, duke përfunduar në rrahje. Gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, në kohën që në sallën e madhe të teatrit mbaronte shfaqjen shkolla e mesme "Gjergj Kastrioti" në kuadrin e Maratonës Rinore dhe pritej të fillonte spektakli. Burime nga Pallati i Kulturës thanë për gazetën "Shqip" se ka qenë humoristi shkodran Edmond Halili që ka shpërthyer ndaj sekretarit të shoqatës "Durrësi", Shpëtim Metani. Prej disa vitesh, humoristi i mirënjohur shkodran është pjesë e trupës së estradës profesioniste të Durrësit. Sherri mes të dyve nga fjalët ka kaluar në grushte dhe vetëm ndërhyrja e të tretëve dhe e punonjësve të policisë i ka dhënë fund ngjarjes së shëmtuar, duke larguar nga teatri humoristin Halili. Shkak i sherrit është bërë marrja e artistëve të tjerë, jo nga Durrësi, madje dhe nga zona e Ulqinit, për të realizuar argëtimin e durrsakëve në nderim të Ditës së Verës. Qëndrimi i shoqatës kundrejt artistëve të trupës së Durrësit ka shkaktuar irritim mes tyre, gjë që është finalizuar me sherrin që u mbyll me grushte mes Halilit dhe Metanit.