E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, i etur për fitore ndaj Lushnjës

Shpëtim Duro dhe Partizani i tij janë të etur për fitoren e parë në shtëpi dhe një gjë të tillë do ta kërkojnë që në ndeshjen e kësaj jave kundër Lushnjës

Të kuqtë do të luajnë ndaj skuadrës me të cilën ndajnë dy vendet e fundit me pikë të barabarta. Por, për koincidencë, lagunarët identifikojnë edhe ekipin e vetëm, të cilit Partizani i ka marrë të vetmen fitore në Fazën e Parë të këtij sezoni.

Në javën e parë të kampionatit të 70, të kuqtë do të debutonin me një fitore 1-0 në Lushnjë, falë golit të Karapicit.

Në pesë takimet e luajtura deri tani në shtëpi, skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro nuk ka mundur të marrë asnjë fitore, duke fiksuar një bilanc negativ: 2 barazime e 3 humbje.

Për trajnerin e dytë sezonal të Partizanit, Shpëtim Duro, dy barazimet rresht me Besën (0-0) në Kavajë dhe Elbasanin (2-2) në kryeqytet, skuadra e ka rigjetur veten dhe fitorja e pritshme me Lushnjën do të thoshte shumë për 15 herë kampionët e Shqipërisë, tashmë jo vetëm në aspektin psikologjik, ku skuadra ndihet plotësisht e çliruar, por dhe në atë pikëve, pavarësisht se edhe me fitoren, Partizani sërish do të ishte i 11-ti në renditje, pasi diferenca aktuale me vendin e dhjetë është 4 pikë (Apolonia). “Të fitojmë edhe me një lojë të keqe, është shprehur Duro. Na duhet patjetër fitorja”.



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›