E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, koha për fitoren e parë në shtëpi

Pas dy javëve pa futboll vendas për shkak të impenjimeve të përfaqësueses në eliminatoret e Botërorit kundër Hungarisë (0-2) e Portugalisë (0-0), Kategoria Superiore rikthehet në fokus me javën e 7-të saj.

Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, beson se skuadra e tij e ka forcën e duhur për të arritur fitoren e parë në shtëpi, kundër një Bylisi me të cilin mbyll dhe tabelën e renditjes me pikë të barabarta, nga 4, por me golaverazh më të mirë. Partizani-Bylis (ora 14:30) do të gjykohet nga lushnjari Shkëlqim Guçe.

RIKTHIMI – Të kuqtë do të vuajnë mungesën e dy mbrojtësve, Fatjon Tafaj e Luan Pinarit (të ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e humbur me Flamurtarin), por trajneri Lika, i gëzohet faktit të rikthimit të Elis Bakajt pas pezullimit tre javor nga presidenti Xhani e dhjetë ditëve përgatitje me ekipin kombëtar.

MUNGESAT – Edhe Bylisi do të mbërrijë në kryeqytet me dy mungesa të rëndësishme: mesfushorin Endri Dalipi e mbrojtësin Alban Muça, por për skuadrën ballshiote rikthehen kundër të kuqve, sulmuesi Bakiu e mesfushori Novi. Klevis Dalipi, një ish-lojtar për disa javë te Partizani (2002-2003), beson se skuadra e tij i ka mundësitë për të marrë rezultat pozitiv nga transferta në Tiranë, pavarësisht se në tri ndeshje të luajtura jashtë shtëpisë Bylisi ka pësuar vetëm humbje.

SULMI - Bakaj do të luajë pas shpinës së dy sulmuesve brazilianë, Bruno (një gol (kundër Tiranës), por që kanë zhgënjyer në ndeshjet e fundit. Partizani, së bashku me Elbasanin e Teutën, ka sulmin më të dobët në kampionat: 3 gola në 6 ndeshje.

MBROJTJA - Bylisi i Hysen Dedjes ka mbrojtjen më të dobët në gjashtë javët e para: 9 gola të pësuar, por që mbërrin në “Selman Stërmasi” pas barazimit befasues pa gola me Tiranën kryesuese.

TRAJNERËT- Hasan Lika e Hysen Dedja janë miq të vjetër me njëri-tjetrin, por shkodrani i bankinës së Bylisit dëshmoi në “Loro Boriçi” kundër Vllaznisë e në “Adush Muça” kundër Tiranës se mbetet një trajner karizmatik, për më tepër që ai është një nga katër trajnerët e këtij sezoni në Superligë që ka fituar të paktën një titull kampion, duke futur në këtë listë nderi edhe Starovën (Teuta), Dajën (Besa) e Josën (Elbasani).

E Shtune, 18 Tetor 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›