E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana – Dinamo ose Slishko vs. Dalic

Janë të dy kroatë dhe premtojnë spektakël, por në llogaritë e tyre nuk e fshehin pragmatizmin për pikët. Një derbi, fitorja e të cilit është e shoqëruar me premio marramendëse. Të dy kanë fituar nga një trofe në aventurën e tyre të parë në Shqipëri. Trajneri i Dinamos, Zlatko Daliç, fitoi Superkupën e Shqipërisë kundër Vllaznisë (2-0), një javë përpara se të fillonte Kampionati i 70-të Kombëtar i Futbollit, ndërsa ai i Tiranës, Bllazh Slishkoviç, pronësoi trofeun “Taçi Oil Albania Reads”, duke mposhtur në një miqësore luksi një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, Milanin (2-1).

VIZIONE TË KUNDËRTA -Për të përgatitur derbin Tirana-Dinamo, midis dy ekipeve me më shumë trofe në kampionatin shqiptar (Tirana, 23 tituj; Dinamo, 17) dy trajnerët kanë pasur në dispozicion jo pak, por 15 ditë, kjo edhe për shkak të angazhimit të ekipit kombëtar në eliminatoret e Botërorit “Afrika e Jugut 2010”. Boshnjako-kroati Bllazh Slishkoviç, i cili më parë ka drejtuar kombëtaren boshnjake pranon se ka vizione të ndryshme për lojën me trajnerin e Kroacisë U-21, Daliç, i ulur edhe në bankinën e Dinamos. “Nuk mund të them se jemi të së njëjtës shkollë. Daliç është i shkollës së pastër kroate, ndërsa unë jam kroat i futbollit boshnjak. Mendoj se kemi vizione të ndryshme të lojës e kjo do ta bëjë më spektakolar derbin”, - thotë Slishko. “Është derbi dhe shanset për të dy ekipet janë 50 me 50 për qind, por ne do të luajmë për fitore”, - kundërpërgjigjet Zlatko.

“TOPAT E ART˔ –Ndërsa të mërkurën në mbrëmje anësorit të Tiranës, Ansi Agollit, iu desh të merrej në ndeshjen e Shqipërisë kundër Portugalisë me Kristiano Ronaldon, një nga kandidatët potencialë për fitimin e “Topit të artë 2008”, qëndërmbrojtësit bardheblu Tefik Osmani u angazhua për të bllokuar dy lojtarë të tjerë të mëdhenj e fitues të “Topit të artë 2005”, brazilianin Ronaldinjo e ukrainasin Shevçenko. “Duhet të luajmë kundër Dinamos ashtu si bëmë kundër Milanit”, - thotë mbrojtësi korçar Tefik Osmani i cili ka dhe një të kaluar ndërkombëtare në Ukrainë. Osmani, u transferua nga Partizani te Tirana në shumën e 40 mijë eurove, por në statistikat e tij të fundit me Partizanin “rëndon” goli i shënuar pikërisht kundër Dinamos, një gol që vendosi përkohësisht ekuilibrat në fushë (1-1), përpara se dinamasi Nertil Ferraj të realizonte në minutën e fundit golin, që i dha Dinamos titullin e 17-të.

SFIDË ISH-ËSH – Në “Qemal Stafa” (ora 18:00, gjykon ndërkombëtari Sokol Jareci), nuk do të zbresin në fushë dy klube që kanë fituar së bashku 40 tituj kampionë nga 69 kampionate të përfunduara, por dhe lojtarë që kanë fituar tituj me të dy formacionet. Sulmuesi i Tiranës, Daniel Xhafaj synon trofeun e parë me Tiranën, ndërkohë që e ka fituar atë më parë me Dinamon në sezonin 2001-2002. Vlonjati Xhafaj shënoi golin e parë kundër Milanit, e padyshim që pret një tjetër asist nga Migen Memelli për të shënuar pa mëshirë ndaj ish-skuadrës së tij. Kapiteni i Dinamos, elbasanasi Arjan Pisha ka fituar tituj kampionë me të dy fanellat: Tiranën në sezonin 2006-2007 e së fundi me Dinamon (2007-2008). Të njëjtat statistika i ka dhe mesfushori dinamovit Igli Allmuça, por dhe mbrojtësi nigerian i bardhebluve, Abraham Alecheny. Lista me dy fanella vazhdon me Ervis Sinën (aktualisht te Dinamo), Hetlem Çapja (Dinamo) e Erald Deliallisin (Tirana).

SITUATA – Tirana kryeson kampionatin me 14 pikë pas gjashtë javësh, ndërkohë që kundërshtari i saj i javës së 7-të ka katër pikë më pak. Tirana vjen pas barazimit pa gola në Ballsh, ndërsa Dinamo pas barazimit me Vllazninë (1-1).

STATISTIKA - Dy formacionet janë të vetmet që nuk kanë pësuar humbje deri tani, por nësë Tirana në shtëpi në dy ballafaqimet me Partizanin e Flamurtarin ka fituar, Dinamo në shtëpi nuk është shumë mirë: një fitore e tre barazime. Në transfertë Tirana në katër takime ka fituar dy e ka barazuar dy të tilla, ndërsa Dinamo ka fituar një e ka barazuar po një. Tirana ka shënuar 8 gola (5 nga këto Memelli), ndërsa Dinamo 6 gola (3 gola Plaku). Mbrojtja: Tirana ka pësuar 2 gola, Dinamo, 3.

MUNGESAT – Asnjë skuadër nuk ka lojtarë të pezulluar, por infermieritë e dy kampeve po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të rikuperuar lojtarët. Mbrojtësit Rezart Dabulla e Entonio Pashaj nuk do të jenë në fushë për Tiranën, ndërsa te Dinamo po punojnë intensivisht për të rikuperuar mesfushorin e avancuar Artion Poçi.

KATEGORIA SUPERIORE

Java VII

E diel, ora 14:30

Elbasani-Teuta

Stadiumi: “Ruzhdi Bizhuta”, Gjyqtar: Artan Taullau

Lushnja-Besa

Stadiumi: “Roza Haxhiu”, Gjyqtar: Ermir Dobi

Vllaznia-Shkumbini

Stadiumi: “Loro Boriçi”, Gjyqtar: Albano Janku

Tirana-Dinamo 18:00,

Stadiumi: “Qemal Stafa”, Gjyqtar: Sokol Jareci

Partizani-Bylis

Stadiumi: “Selman Stërmasi”, Gjyqtar: Shkëlqim Guçe

Apolonia-Flamurtari

Stadiumi: “Loni Papuçiu”, Gjyqtar: Kridens Meta

KATEGORIA SUPERIORE, RENDITJA PAS JAVES VI

N F B H GSH GP DIF PIK

1 Tirana 6 4 2 0 8 2 +6 14

2 Vllaznia 6 3 2 1 7 4 +3 11

3 Dinamo 6 2 4 0 6 3 +3 11

4 Shkumbini 6 3 1 2 9 7 +2 10

5 Elbasani 6 2 3 1 3 2 +1 9

6 Flamurtari 6 3 0 3 5 6 -1 9

7 Besa 6 2 2 2 5 5 0 8

8 Apolonia 6 2 1 3 5 7 -2 7

9 Teuta 6 1 3 2 3 4 -1 6

10 Lushnja 6 2 0 4 5 8 -3 6

11 Partizani 6 1 1 4 3 6 -3 4

12 Bylis 6 1 1 4 4 9 -5 4

Golashënuesit

5 gola: Memelli (Tirana)

4 gola: Dhëmbi (Vllaznia)

3 gola: Sinani (Vllaznia), Plaku (Dinamo), Kuli (Besa, 2p)

2 gola: Brajkoviç (Flamurtari), Rizvanolli (Shkumbini), Karapici (Partizani), Merxha (Elbasani), A. Lila (Tirana), Asllani (Apolonia)

1 gol: Nora, Shenaj, Ramazani, Mustafaj, Turdiu (1p), Gjata (Shkumbini), Nenaj, Kapaj, K. Dalipi, Bakiu, (Bylis), Çaushaj, Shehaj, Marin Con (Flamurtari), Jusufi, Petriçeviç (Dinamo), D. Xhafaj (Tirana), Progni, Sakaj (Besa), Dhrami, Bërkiç, Shoshi (Apolonia 1p), Bruno (Partizani), Çela, Bubeqi, Sisoko, Sekseri, Bokatola (Lushnja) Stojku (Elbasani), Hysa, Jakupi (Teuta)

Autogola: Stojku (Elbasani), E.Xhafa (Besa), Smajli (Vllaznia)

E Shtune, 18 Tetor 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›