E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani “krizë” thellon krizën e Tiranës

Start (Start)- Skuadra e Partizanit arriti të marrë një barazim surprizues 2-2 me skuadrën e Tiranës. Surpriza nuk qëndron tek emri i Partizanit, por tek gjendja në të cilën ndodhen të kuqtë. Megjithëse ndodhet përsëri në vendin e fundit, Partizani arriti të frenont rivalen e përjetshme, Tiranën.

Bardheblutë shënuan që në minutën e dytë, duke krijuar iluzionin se vazhdimi i lojës do ta zhndërronte portën e demave në një tabelë qitjeje. Minutat në vazhdim treguan të kundërtën, duke nxjerrë në pah shpirtin e garës së të besuarve të Duros.

Partizani barazon në minutën e 64’ me Karabecin. Ky gol i jep më tepër besim lojtarëve të kuq, të cilët nuk mjaftohen me barazimin dhe kalojnë në avantazh me Ngjelën në minutën e 73’. Nuk vonon as 10 minuta, dhe vjen reagimi i Tiranës. Për të shpëtuar nderin e skuadrës barazon në minutën e 82’ Memelli.

Barazimi nuk i vlen asnjërës skuadër për renditjen, por fituesi moral është skuadra e Partizanit që tregoi dhe një herë që fanella e kuqe ekziston akoma. Tirana largohet nga Vllaznia e kreut me katër pikë. Në ndeshjen e radhës djemtë e Slishkoviçit do të presin Apoloninë e Fierit në kryeqytet. Partizani ka “zaptuar” vendin e fundit në tabelë me 9 pikë. Ndeshjen e radhës të kuqtë do ta luajnë me Teutën në kryeqytet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›