Partizani me “pushkë” në Vlorë

Partizani, i shpërblyer me premiot e pesë fitoreve të para, udhëtoi në transfertën e vështirë të Vlorës me synimin e vetëm për të marrë tri pikët e radhës, pavarësisht deklaratave diplomatike të bosit të kuq, Albert Xhani, i cili u shpreh për mediat, se do të ishte i kënaqur edhe më një barazim me Flamurtatin, përpara se të presë Skënderbeun në shtëpi javën e ardhshme. Me kapitenin Ardit Beqiri të dëmtuar dhe një Flamurtar entuziast pas fitores në Tiranë me Dinamon, trajneri Lika duhet të tregohet i kujdesshëm në mbrojtje, pavarësisht se ka repartin e dytë difensiv më të mirë në kampionat me vetëm dy gola të pësuar në pesë takime (1 gol në 270 minuta lojë). Në 111 ndeshjet historike midis dy ekipeve, 15-herë kampioni i Shqipërisë, Partizani, ka fituar 65 prej tyre, ndërkohë që fitoret e vlonjatëve janë minimale: vetëm 16 (30 barazime). Në Vlorë, trajneri Memushi dhe ndihmësi i tij, Ardi Behari (ish-lojtar i Partizanit) janë të bindur se humbja në shtëpi me Elbasanin (0-1), që erdhi nga një vlonjat (Fjodor Xhafa), nuk do të përsëritet sërish nga sulmuesi kryesor i Partizanit, vlonjati Arbër Abiliaj. "Nuk kemi pse të kemi frikë nga Partizani", - paralajmëroi Behari, teksa në "peshore" vendos dy fitoret ndaj të kuqve gjatë sezonit të kaluar. Por, Elis Bakaj, lojtari i momentit te Partizani mendon të kundërtën. "Duhet të besojmë të fitorja dhe kemi për ta marrë atë", - pohoi 20-vjecari, tashmë i thirrur edhe në Kombëtaren A për ndeshjen me Slloveninë e Bullgarinë. A do të arrijë Partizani të barazojë rekordin e sezonit 1992-1993 me gjashtë fitore rresht. Vendosin shumë faktorë: ai fushë (në transfertë), por dhe ai "bilbil", i vendosur në gojën e Sokol Jarecit, gjithmonë i kontestuar nga të "Kuqtë".
Bilanci
Flamurtari-Partizani: 111 ndeshje; 16 fitore Flamurtari, 30 barazime, 65 fitore Partizani. Golat: 89-201.