E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani merr pamjen e sezonit të ri, reduktohet organika

Administratori i të kuqve Paro Laçi dje ka shpalosur listën e futbollistëve që nuk janë në planet e skuadrës dhe të hënën pritet që grupi të grumbullohet në kryeqytet

Nga ILIR CARA

Partizani i sezonit 2012-2013 është në fazën e konfigurimit final, por të kuqtë mbeten të hapur në merkato deri në limitet e lejuara. Duke filluar nga pasditja e djeshme stafi teknik do ta ketë më të lehtë punën, pasi grupi është reduktuar dhe ata do të kenë të bëjnë vetëm me futbollistët, që mendohen se do të jenë pjesë e skuadrës e cila do të përfaqësohet në Kategorinë e Parë. Para nisjes së seancës së djeshme stërvitore drejtuesit e kuq kanë publikuar listën e futbollistëve, që nuk janë në planet e stafit teknik. Padyshim në këtë listë të larguarish mbizotërojnë elementë, që kanë qenë pjesë e skuadrës në Kategorinë e Dytë në sezonin e shkuar. Për momentin janë mbajtur vetëm 22 futbollistë, por në ditët në vijim do të ketë edhe prurje të tjera, pasi grupi nuk konsiderohet i plotësuar. Në listën primare të pritjes mbetet një portier me eksperiencë, ku në ditët e fundit janë përmendur disa emra, por më pranë duket Alfred Osmani, i cili në sezonin e fundit ishte pjesë e Dinamos.

Grumbullimi Java që vjen pritet të nisë me një plan të ri stërvitor për të kuqtë e kryeqytetit, pasi është planifikuar që grupi të grumbullohet për disa ditë. Mësohet se ky grumbullim i të kuqve do të kryhet në një nga hotelet e kryeqytetit dhe ekipi do të kryejë një fazë intensive stërvitore. Administratori Paro Laçi mësohet se ka depozituar në federatë projektin e tij për Partizanin e sezonit të ri dhe thuhet se duke nisur nga java që vjen do të nisë edhe nënshkrimi i kontratave me futbollistët. Prioritet mbetet përfaqësimi dinjitoz në Kategorinë e Parë, në mënyrë që në fund të sezonit Partizani ti kthehet elitës së futbollit shqiptar. Për momentin situata te të kuqtë duket optimiste, por jo gjithçka është e qartë, kjo edhe për vetë faktin se mungon firma e shumëpritur e presidentit Albert Xhani, firmë e cila i hap dritën jeshile administrimit të Partizanit nga ana e Paro Laçit.

Testi i radhës për të kuqtë, sot përballë Besëlidhjes

Në kuadrin e përgatitjeve për sezonin e ri të kuqtë e drejtuar nga trajneri Nikolin Çoçlli kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore, ku padyshim pjesa dërrmuese e tyre kanë shërbyer për të parë futbollistët që kishin ardhur për tu provuar. Të enjten Partizani fitoi 7-1 ndaj Kamzës, ku spikatën lojtarët shkodranë me golat e tyre. Por ky test nuk është i fundit për këtë javë, pasi sot Partizani ka një tjetër përballje, ku të kuqtë e kryeqytetit do të jenë mysafir në Lezhë. Padyshim testi i sotëm me Besëlidhjen do të shërbejë më shumë në qartësimin e pozicioneve të futbollistëve dhe alternativa, kjo për faktin se Partizani e ka mbyllur fazën seleksionuese dhe merkatoja mbetet e hapur vetëm për ndonjë element me përvojë, ku më shumë pritet përforcimi i portës. Takimi me Besëlidhjen do të luhet në stadiumin e Lezhës dhe pritet të nisë rreth orës 17:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›