E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, të hënën miqësore kundër Ohrit

Fillimi i kampionatit në Maqedoni e bën të vështirë zhvillimin e takimeve në fundjavë, ndërkohë që mësohet se gjatë qëndrimit në vendin fqinj, blutë nuk do të bëjnë asnjë lëvizje në merkato

Nga ANDI TANKU

Dinamovitët vazhdojnë përgatitjet në Strugë, ku janë duke kryer dy seanca stërvitore në ditë nën drejtimin e trajnerit Zhupa. Ata janë të grumbulluar në hotel Apolon në këtë qytet dhe nga bisedat telefonike me stafin teknik të skuadrës, këta të fundit konfirmojnë se gjithçka po shkon sipas programit të përcaktuar. Gjithashtu, numri 1 i stolit të bluve shprehet i kënaqur nga kushtet, në të cilat po qëndron skuadra si edhe ato në të cilat po stërviten futbollistët. Sipas tij, i gjithë grupi po punon për të arritur formën maksimale para startit të sezonit të ri. Ndërkohë, pas tre miqësoreve të zhvilluara në Maqedoni, blutë do të luajnë një tjetër takim ditën e hënë në orën 17:30. Këtë herë ata do të kenë përballë skuadrën e Ohrit, në stadiumin e këtyre të fundit. Kjo nuk është miqësorja e vetme që Dinamo ka zhvilluar gjatë kësaj periudhe me Liqenorët, sepse para disa ditësh, përballja e parë midis këtyre ekipeve përfundoi në barazim me rrjeta të paprekura. Kampionati i futbollit në Maqedoni ka disa javë që ka filluar dhe kjo përbën disi problem, pasi është e pamundur të luhen miqësore në fundjavë. Kjo është arsyeja e zhvillimit të takimit me Ohrin ditën e hënë. Dinamo do të qëndrojë edhe për 1 javë në shtetin fqinj dhe më pas do të kthehen për të vazhduar përgatitjet në vendin tonë. Për sa i përket merkatos, nga burime brenda klubit mësojmë se gjatë qëndrimit në Strugë nuk do të ketë asnjë lëvizje në afrimin e ndonjë futbollisti. Kjo, pasi puna që po zhvillohet atje është e përqendruar vetëm në përgatitjen e lojtarëve që janë në dispozicion të trajnerit Zhupa. Por ky fakt nuk do të thotë se merkatoja për blutë ka përfunduar, pasi menjëherë pas kthimit në Tiranë do të fillojnë bisedimet për përforcimin e skuadrës me elementë cilësorë, që do të kontribuonin për të arritur me sukses misionin Superligë dhe që ky objektiv të bëhet realitet që këtë sezon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›