Partizani në rrugë të mbarë, por kush do të jetë i parë?
Të kuqtë nën drejtimin e aksionarit Paro Laçi kanë nisur konfigurimin për sezonin e ri, por ende nuk është caktuar se kujt i takon administrimi
Prej tri javësh një grup futbollistësh, që pretendohet se do të përfaqësojnë Partizanin e ri kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri.Ky ekip është ndërtuar falë përkujdesjes së aksionarit Paro Laçi, i cili në federatë ka dërguar planin e tij dhe garancitë për pjesëmarrjen në Kategorinë e Parë.
Por ditë më vonë ortaku i Laçit në shoqërinë aksionare, Albert Xhani, ka shpallur një strukturë drejtuese për Partizanin që ai mendon, strukturë e cila është jashtë asaj që po ndodh në terren.
Mësohet se Xhani është në kërkim të futbollistëve, që thuhet se shumë shpejt do të vihen nën urdhërat e stafit teknik, që për çudi ka nisur të firojë pa nisur, pasi Eduard Zhupa që ishte emëruar zv.trajner, pritet të marrë drejtimin e Dinamos.
Por FSHF, që ka tagrin për të vednosur, se kush do të jetë administratori i Partizanit, ka mbetur në pritje të një përgjigje të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi në rast se ndryshon mendim, atëherë do të vijojë bashkëpunimi si në sezonin e kaluar.
Për momentin Partizani që po përgatitet në terren duket në rrugë të mbarë, gjë të cilën e tregoi edhe miqësorja e së shtunës me Kastriotin, ku të kuqtë fituan 1-0.
Me të filluar përgatitja në terren te Partizani kanë nisur të vijnë prurjet e reja, ku sipas aksionarit Paro Laçi, që po merret me merkaton ky është vetëm fillimi, pasi në ditët në vijim do të ketë prurje të reja.
Ndaj krutanëve të shumtë ishin prurjet që veshën fanellën e kuqe, si portieri Bishani, mbrojtësit Grizha, Duqi, Xaka, mesfushori Sulçe, sulmuesi Ivanaj si dhe disa të rinj, që kanë ardhur nga ekipet zinxhire. Por duke nisur nga sot priten të tjerë, si lezhjanët Ndreka dhe Prela, mesfushori Klevis Roshi etj.
Pra në dukje gjërat duken në rrugë të mbarë, por ajo që mbetet të mësohet se kush do të jetë kryetar, apo i parë? Shpresohet që brenda kësaj jave federata do ta ndajë mendjen dhe do të marrë një vendim rreth administrimit të Partizanit të sezonit të ri.
