E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja shtyn prezantimin, një staf në zyrë e një në fushë

Nga JULIAN KASAPI

Një nga donatorët së bashku me dyshen Bano-Çuko ka takuar kryebashkiakun, ndërsa Malko dhe Hasalla vijon përgatitjet me ekipin

Java ka nisur me zhvillime te Lushnja, por nuk ua arrit të bëhej prezantimi i skuadrës së sezonit të ri. Dje në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, ka pasur një takim mes kryebashkiakut dhe njërit prej donatorëve. Së bashku me donatorin të pranishëm në takim kanë qenë edhe trajnerët Artan Bano dhe Dritan Çuko.

Pas bisedimeve të gjata në zyrën e kryetarit të bashkisë Lushnje, njëherazi president i klubit të futbollit, të gjithë të pranishmit janë larguar pa dhënë asnjë deklaratë për mediat. Mendohet se bisedimet mes donatorëve dhe kryetarit të bashkisë do të vijojnë edhe sot.

Nga ana e nënkryetarit të bashkisë Lushnje, Gentian Nushi, kemi mësuar se prezantimi i stafit te ri që do të drejtojë skuadrën e Lushnjes do të bëhet, ndoshta ditën e martë në ambjentet e klubit të futbollit në stadiumin Roza Haxhiu.

Gjithsesi ekipi i vijon përgatitjet dhe seanca stërvitore e djeshme është drejtuar nga trajneri akoma në detyrë i skuadrës lushnjare, Sajmir Malko, si dhe ndihmësi i tij Blerim Hasalla.

Futbollistët kanë ndjekur detyrat që i ka dhënë stafi teknik, kur dihet se kanë hyrë në javën e katërt të fazës përgatitore. Premtime dhe shumë pompozitet nga ana e donatorëve, të cilët kanë ambicje për Lushnjen e këtij sezoni, madje kanë përcaktuar që më parë strukturat e reja të klubit.

Megjithatë stërvitja vijon normalisht deri në një vendim tjetër të presidentit Tushe, i cili pritet të dalë sot në një konferencë për shtyp për të bërë më dije se çfarë ka vendosur presidenca lushnjare për skuadrën në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›