E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani nis kompletimin me lojtarë dhe bazë materiale

Nga ILIR CARA

Të kuqtë kanë nisur përgatitjet me top në ish-kompleksin Dinamo dhe përforcimi i parë është lezhjani Grizha, në ditët në vijim pritet të tjerë prurje

Përpos zhurmës se kujt i takon e drejta e përfaqësimit në sezonin e ri, këtu bëhet fjalë në rangun administrativ, në fushën e blertë përgatitet një ekip, që për momentin konsiderohet Partizani i sezonit 2012-2013.

Thuhet për momentin, pasi FSHF ende nuk e ka vendosur se kush do ta ketë të drejtën e përfaqësimit, ndonëse në federatë ekziston i regjistruar edhe për edicionet në vijim Partizani i administruar nga Ministria e Mbrojtjes.

Gjithsesi, nën drejtimin e aksionarit Paro Laçi, skuadra ka hyrë në fazën e përgatitjeve intensive, ku pas disa seancave nga Kodrat e Liqenit, skuadra ka vijuar përgatitjet me top. Këto seanca të kuqtë po i zhvillojnë në ish-kompleksin Dinamo.

Me të filluar përgatitjet me top, Partizani ka nisur të kompletohet në shumë aspekte. Aksionari Laçi e ka kompletuar skuadrën me bazën e duhur materiale, ku gjithçka është e re, dhe sipas tij, kjo bëhet me qëllimin e vetëm, seriozitet dhe rikthim të legjendës në vendin që i takon.

Robert Grizha Ishte thënë prej ditësh se me nisjen e përgatitjeve me top do të niste edhe zbardhja e merkatos së të kuqve të kryeqytetit. I pari që ka zbritur në kampin stërvitor është një ish, pikërisht bëhet fjalë për lezhjanin Robert Grizha.

Stafi teknik i ka dhënë një program special Grizhës, i cili duhet ta ndjekë këtë javë, pasi i duhet të kapë ritmin e grupit, duke qenë prapa me përgatitjet.

Por sipas aksionarit Laçi, pas Grizhës me ekipin do të afrohen edhe mbrojtësi Arlind Xaka, një tjetër ish, së bashku me mesfushorin elbasanas Klevis Roshi. Me këto dy lojtarët është thuajse e mbyllur dhe në ditët në vijim priten goditjet e tjera në merkato.

Aksionari Laçi Të martën një përfaqësi e tifozëve të kuq kanë qenë në federatë, ku kanë kërkuar që ky institucion të njohë Partizanin që ata dëshirojnë, Partizan i cili duhet të ketë brenda edhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Kjo kërkesë e tifozëve nuk është gjë e re për mua, pasi nëse e mbani mend që në afrimin e parë që kam bërë te Partizani si aksionar, kam kërkuar që ky ekip shpëton vetëm nëse bëhet pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Këtë gjë e kam thënë në radhë të parë si tifoz i zjarrtë dhe i deklaruar i Partizanit, pastaj si financues. Ne ende nuk e kuptojmë se zhvillimi i sportit ndodh vetëm në se ka përkrahje të gjithanshme, pushtet ekzekutiv, pushtet vendor dhe donatorë.

Një njeri i vetëm kurrë nuk mund ta bëjë, aq më shumë një ekip si Partizani, që e do e gjithë Shqipëria. Prandaj e kam thënë dhe e them se në çfarëdo lloji vendimi që do të marrë federata, unë do të jem pjesë e Partizanit, sepse këtë ekip e ndjek që i vogël si tifoz, por edhe kam investuar.

Dëshira ime dhe përpjekjet e mija janë që të dëgjohet dhe plotësohet zëri i tifozerisë, pjesë e së cilës jam edhe vetë, që Partizani të ndihet si një bashkëpunim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe të gjithë atyre personave që kërkojnë të financojnë tek legjenda,- u shpreh për Sportin shqiptar, aksionari i të kuqve, Paro Laçi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›