E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani përmbys Turbinën, Lushnja 8 gola ndaj Bilishtit

Ndeshjet Elbasani e Luftëtari fitojnë mes vuajtjeve, Kamza vazhdon të ëndërrojë Superioren

Partizani vazhdon marshimin drejt rikthimit në Kategorinë Superiore. Skuadra e drejtuar nga Gerti Haxhiu ka arritur një fitore të rëndësishme në fushën e Turbinës, me rezultatin 2-1. Të kuqtë kanë vuajtur në pjesën e parë, madje duke e parë veten në dizavantazh pas rrjetës së vendasve me Gurin, në të 22-n. Kthesa e shumëpritur ka ndodhur në fraksionin e dytë të lojës, me kryeqytetasit që përmbysën gjithçka falë golave të Ardit Beqirit në të 67-n dhe Erjon Rizvanollit, dhjetë minuta përpara mbylljes së takimit. Kjo ishte ndeshja e 13 radhazi, që Partizani arrin rezultat pozitiv në kampionat: humbja e fundit është regjistruar më 21 nëntor 2009. Fitore e jashtëzakonshme për Lushnjën, që ka turpëruar me rezultatin 8-0 Bilisht Sportin. Heroi i sfidës në “Roza Haxhiu” ishte Dorian Bubeqi, me katër gola të realizuar, ndërsa “lagunarët” ruajnë vendin e tretë. Ata presin hapin fals të Elbasanit (i cili renditet i dyti), që dje ka arritur një fitore të rëndësishme me rezultatin 3-0. Skuadra e drejtuar nga Krenar Alimehmeti ka vuajtur përballë Gramshit, që lufton për mbijetesë dhe e ka zgjidhur takimin vetëm në çastet e fundit. Kamza mposht 2-0 Burrelin në fushën e saj dhe qëndron në vendin e pestë: kryeqytetasit e Perlat Mustës kanë krijuar një distancë sigurie nga Ada e vendit të gjashtë dhe tani mund të përqendrohen për të kapur Partizanin dhe Lushnjën. Fitore e vuajtur edhe për Luftëtarin, që përmbys ndeshjen me Skraparin vetëm në kohën shtesë. Dy gola të Bistrit në të 90-n dhe Zhargalliut në të 92-n, i dhanë fitoren gjirokastritëve, që deri në ato momente po humbisnin me shifrat 3-2. Tri pikët e plota i kanë marrë edhe Pogradeci dhe Besëlidhja, në sfidat përballë Memaliajit dhe Sopotit, që mbyllin klasifikimin.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›