Partizani, poker për kampion. Demat thyejne Teuten 4-0

Triumfatorë. Të pathyeshëm. Agresivë. Të kuqtë duken se janë formatuar për të qenë kampionë. Një titull që e presin në shtëpinë e kuqe për 15 vite me radhë. Kujtimet e bukura të cojnë në vitin 1993, por duket se, në maj të vitit 2008, Partizani do të cojë lart trofeun e 16-të tij, për t'u barazuar me Dinamon dhe nisur sulmin ndaj Tiranës. Partizani vazhdoi serinë "trepikëshe" duke regjistruar fitoren e pestë në pesë javët e zhvilluara dhe duke kryesuar i vetëm renditjen me 15 pikë të plota. Gjergji Muzaka shënoi nga pika e bardhë në minutën e 37-të, ndërsa Blendi Shkëmbi ndëshkoi ish-skuadrën e tij në minutën e 72-të, pas asistit të dhënë nga patrioti i tij, korcari Paulin Dhëmbi. Elis Bakaj realizoi golin e tretë me një gjuajtje të thatë brenda zonës për t'ia lënë radhën mbrojtësit Tefik Osmani, një tjetër ish-i Teutës, për të realizuar golin e katërt ndaj një Teute që pësoi humbjen e katërt në pesë javë dhe pritet që presidenti Hasanbelliu të marrë masa ekstreme, ku në rreth është vetë trajneri Hysen Dedja. Te dielen luhet takimi i fundit i javës së 5-të, Besa-Tirana.