E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu rikthen fitoren në Elbasan



Trajneri Ramadan Shehu qëlloi një zgjedhje e duhur për bankinën e Elbasanit, pasi verdheblutë fituan me rezultatin e ngushtë 2-1 me Bylisin, duke u rikthyer te fitorja pas dhjetë javësh. Heroi i takimit ishte kapiteni Julian Ahmataj, i cili shënoi një dopjetë në një sfidat më të rëndësishme për fatet e mbijetesës në Superligë të 2-herë kampionëve.

Gentian Stojku dha një pas të gjatë për Fjodor Xhafën, sulmuesi vlonjate i Elbasanit ndërmori një inkursion vertikal në drejtim të zonës së Bylisit, duke shmangur portierin maqedonas Mirçelosku e pasuar mbi vijën fatale për Julian Ahmataj, ky i fundit thjesht e shtyu topin në rrjetë në minutën e 3-të. Florenc Arapi, lojtari i huazuar nga Tirana te ballshiotët barazoi në minutën e 40-të, duke mbyllur pjesën e parë në 1-1.

Në fraksionin e dytë, u përsërit e njëjta skemë kombinacioni Stojku-Xhafa-Ahmataj, me realizimin e këtij të fundit në minutën e 61-të të takimit, gol që vulosi edhe shifrat 2-1. Elbasani u ngjit në kuotën e 30 pikëve, ndërkohë që Bylisi me këtë humbje jo vetëm që “betonoi” vendin e fundit, por tashmë kur kanë mbetur edhe pesë javë për t’u luajtur është me një “këmbë në var” e drejt Kategorisë së Parë.

Shkumbini konsolidon “Europën”

Shkumbini vazhdoi të mos falë pikë në Peqin, kësaj radhe “viktima” ishte Lushnja. Roland Dervishi shënoi një gol të shpejtë në harkun e dhjetë minutave (i kontestuar goli nga lushnjarët), duke zhbllokuar shumë shpejt rezultatin e duke i dhënë qetësinë e duhur Shkumbinit për të administruar lojën deri në fund të takimit. Kapiteni i Lushnjës, Gentian Çela goditi shtyllën. Formacioni i Gugash Maganit ndodhet në vendin e katërt, me 44 pikë, katër më pak se Dinamo e vendit të tretë, dhe fakti që bën pjesë edhe në “katërshen” e Kupës, e bën më të sigurt një vend në Ligën e Europës. Kjo ishte fitorja e 14-të historike në 28 ndeshje me Lushnjën (8 fitore).

“Maska” shënon gol, Muça me të kuqe

“Maska” argjentinase Rubens Oskar Çeko, kur zëvendësuesi blu me golin e tij pesëmbëdhjetë minuta përpara përfundimit të takimit, shmangu humbjen e Dinamos në barazimin 1-1 në transfertë me Besën. Kosovari Liridon Leci shënoi në minutën e 33-të për kavajasit. Trajneri i Dinammos, Shkëlqim Muça, u ndëshkua me karton të kuq në fundin e pjesës së parë. Flamurtari dhe Apolonia ndanë nga një pikë në barazimin 0-0 në Vlorë.

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›