E Diel, 1 Nëntor 2026

Kazinotë, opozita: Qeveria favorizon interesa të dyshimta

 

BLEDAR HOTI

Pozita dhe opozita shkëmbyen replika të ashpra dje në Kuvend për ligjin e ri të qeverisë për “Lojërat e Fatit”. Kazinotë shërbyen për të shkëmbyer akuza mes deputetëve socialistë dhe demokratë, duke i akuzuar si të lidhur me bizneset e kazinove dhe të lojërave të fatit. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, akuzoi kryeministrin Berisha se ka sjellë pikërisht një projektligj që tregon se është i kapur nga interesat klienteliste. Socialistët kontestuan me forcë klauzolën ligjore se shuma që firmat duhet të paguajnë në zonat turistike të kishte vlerën 3 milionë usd, ndërsa për kryeqytetin është 10 milionë usd. Kjo sipas Braçes, bëhet për qëllime të caktuara klienteliste. “Nuk e kuptoj se në një vend që është 20 minuta larg Tiranës, shuma që duhet paguar për marrjen e licencës të jetë 3 milionë usd. Kjo tregon se dikush pret të ndërtojë një kazino dhe ju po i falni 7 milionë usd”, deklaroi Braçe. Nënkryetari i grupit hodhi idenë se kjo nismë paraqitet pikërisht 6 muaj para zgjedhjeve, me qëllim përfitim fondesh të dyshimta.
Sipas tij, ligji i lë rrugë të hapur që personat e inkriminuar të investojnë dhe të ushtrojnë aktivitetin e kazinove. “Berisha të vijë të flasë këtu, sepse është kryeministri që është përfolur në lidhje me këtë lloj veprimtarie. Kujt kryeministri unë do t’ia falë këto para, gjashtë muaj përpara zgjedhjeve. Kujt do t’i falë 7 milionë usd, kjo gjë është e rëndësishme, sepse jam i bindur që financojnë zgjedhjet, vjedhjen e blerjen e votës. Dhe këto që po them janë një e dhjeta që ka thënë Sali Berisha për të njëjtin nen vite më parë dhe kjo që themi ne nuk është as një e dhjeta”, tha Braçe. Këtij debati i ka ndërhyrë, deputeti i PD-së, Dashnor Sulaj, i cili ka deklaruar se “Berisha nuk e ka vesin e të luajturit bixhoz, por e ka pasur kryeministri i mëparshëm i socialistëve”. Ministri i Financave, Ridvan Bode ka kontestuar qëndrimin e Braçes, duke deklaruar se “e vetmja industri vesi dhe gjykimi në Shqipëri vazhdon të mbajë të mbërthyer interesat e Kuvendit”. Sipas tij, thelbi i ligjit ka të bëjë me liberalizimin e licencave. “Ju kërkoj të dilni pak përtej interesave klienteliste kolegë të opozitës dhe mbështesni dhe jeni në krah të shtetit ligjor, që është ky që po ju tregojmë. Ky ligj me garanci të plotë nga ana e qeverisë do të krijojë një ambient tjetër në raport me industrinë e lojërave të fatit do të rrisë të ardhurat fiskale ne buxhet. Votoni ligjin për të ndihmuar ekonominë dhe qeverinë”, deklaroi Bode.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›