Palok Kurti, ditët në burgun e Korfuzit
Alma Mile
Ndonëse intelektualë e patriotë, për Kurtët e Shkodrës, çlirimi i vendit nuk solli shumë fat. Pati nga ata që u internuan, ndërsa shtëpia u bastis e biblioteka me nam e Kurtëve u konfiskua dhe shkatërrua. Deri pas rënies të sistemit komunist u fol shumë pak për Palok Kurtin, drejtuesin e të parës bandë muzikore në Shkodër, kompozitorin dhe orkestruesin e sa e sa këngëve qytetare shkodrane, si “Asaman bukuris sate”, apo “Për mu paska ken kismet”, që këndohen nëpër gëzimet, jo vetëm të shkodranëve, kompozitorin e himneve e këngëve patriotike. Aq më pak u fol për Lecin, për të birin, i pari kompozitor shqiptar dhe diplomat i njohur. E vetmja Kurti me fat, është aktorja e madhe Tinka Kurti, që edhe ajo nuse, gjithsesi. Megjithatë edhe në vitet e diktaturës, nuk është se është folur shumë për për këtë familje. Së fundmi nipërit e Palokës, po nxjerrin nga arkivat ç’ka mbetur nga biblioteka e tyre. As vetë nuk e dinë se ç’ka aty. I interesuar për historinë e muzikës shqiptare, e cila ashtu si e gjithë historia e vendit tonë ka nevojë për rishikim, muzikologu Sokol Shupo, ka bërë një kërkim të kujdesshëm mes këtyre materialeve të zverdhura nga koha. Ka gjetur partitura, himne, vjersha... Së fundmi ka qenë Tinka Kurti, që ka nxjerrë nga arkivi i të shoqit një fletore shumë interesante. Është ditari i burgut të Palok Kurtit, mbajtur në fillim të vitit 1919, të cilin ajo ia ka ofruar për t’a “zbardhur”, studiuesit Sokol Shupo. Ditari është mbajtur gjatë qëndrimit në burgun e korfuzit, ku ai u vendos, së bashku me të birin, Lecin. Sigurisht ditari është shkruar në gjuhën gege dhe nga sa lexohet në kushte shumë të vështira. Më poshtë po ofrojmë më të shumtën e këtij ditari, të mbajtur në qeli. Për ta bërë më të thjeshtë të lexuarit, është bërë tek-tuk ndonjë redaktim, pa i hequr origjinalitetin shënimeve. T’hanen n’nadje, në orë 6 e 5 çaste, n’ 13 shkurt te vitit 1919 erdhen dy xhandarë e m’mueren me gjithë djalë, Lecin, e m’çuen n’burg t’madh. Qe (kie) ora 8 e 10 çaste kur hina mrendë. Mas nji copë here prunë edhe Gjovalin Kamcin, të cilin n’mramje e qiten prej burgut. Mas nji copë herë prun, nji mas nji, edhe Shan Vilen, Gasper Mosin, Tish Vilen e edhe Luigj Shantojen. Fjetëm të gjith n’nji odë. Qemë (kjeme) të ndarë prej t’burgosunve tjerë e s’kishim lejen qi me mujte e me folë me to. N’burg t’Shkodrës ndenjem t’hanen, t’marten e t’merrkurren mrama. T’ejten n’nadje, para dritet, erdhen tre xhandare franceze e kater shqipëtarë e na nisen prej vendit tonë. Na shtine n’vaporr t’vogel e kthyen n’qytet e hime n’Lerfoz n’sahatin 8 e dhjete. Na qiten ne breg, ku aty muarme nji karroce per me ngarkue teshat, (te cilën e paguem me paret tona) e shkueme n’ xhandarmeri. Masi kqyrne letrat qi koloneli i Shkodres çote bashke me ne, na çuen ne burg t’kalase Lerfozit. Burgu ishte shumë i keq e i veshtire: lagshtine e madhe e qelbsine edhe ma e madhe. Deshti zoti hasme xhandare shume t’mire e t’dhimbshem, te cilët u mundojshin me na dhane liri per me marre ndopak ajer.
T’shtunën me 8.2.19., këta xhandarë qi përmenda, u nisen për Fracë, por erdhen tjerë qi për t’mirë s’jau lejshin këtyne dy t’parve. Ato dite na prune n’burg t’onë dhe 4 hajdutë (hajna) grek, të cilët kishin vjedh nja 9 thas elb. Atë pak kohë qi na lejshin me dal e me marrë pak ajër na u tha me ndej me ec (red) mrendë, her njeni, herë tjetri me ruejt teshat, përse druheshin se na vjedhin.
Prej ditës qi kemi hy në ket burg e deri sot qi kemi 9-2-19, s’i patëm asnji dit me mot t’mirë, por perditë erë e shi. Nji ditë qe nji erë e madhe fort sa, n’ 10 çaste kohë, shqeu e i treti tri herë resht flamurin e Francës, qi ishte n’maje t’kështjellit t’qytetit.
Sot, e diele, me 9-2-19, i shkruem kolonelit nji lutje për me mujt e me na qit prej këti burgu e mos me na lanë ma n’ket lagshtinë e n’ket qelbsinë burgut qi, në qoftë (per n’kjoft) se rimë ma gjatë n’ket vend, kemi me u sëmur t’gjith. Unë dje me Lecin shkueme e u keqyrme te mjeku, përse u ndjeme shum pa qef sikurse ashtu dhe sot. Mjeku s’na dha tjetër veç do kokrra kimie.
E hane 10-2-19. Ndjej të ftofët. Fillova me ndie fort bronkitin.
E marte 11-2-19. Ndjehem fort i lig. Dhima m’qe shtue shum sa s’m’lete me marrë frym, por bana gajret e u vesha e ndenja pa dal jashtë hiç, t’gjith paraditen. T’fotftit u ndje shum ma tepër se dje, por moti i kjartë.
E mërrkuërre 12-2-19. Moti qe shum i mirë. Masdite dola une e shokët e ndejme kmishat e t’gjith teshat e shtatit në shulla, t’ cilat na ishin mushë me morra e ja dhame Filipit ( Nji Lofozlis) me na i la. Kësaj masdite na dha përgjigje koloneli, letrës qi patme shkrue t’diel, tuj na thanë : une s’mundem me ja u përmirësue gjendjen tuej në asnjë mënyrë, derisa t’kemi nji urdhen t’ri prej xheneralit qi asht në Stambollë. Kësaj masdite u nis për Valonë karrocat e Francës bashkë me amiralin, i cili u nis prej Korfozit n’orë tre mas mjesditet. Dje mrrine n’burg dy hajna tjerë, njeni nga ta n’mrame na u sëmur tuej dekë. Erdh mjekue e pa, por s’bani kurrfare sendit per të. Katër hajna tjer grek qi u gjendshin mrendë, as ata s’ban kurrfarë sendit për shoq t’vet ,as s’e çan kryet per të.
E ejte 13-2-19. Moti qe i mirë t’gjith paraditen e në masdite filloi pak me u turbullue. Era e bajrakut t’kalasë u suell n’shirok.
E prende 14-2-19. Ndihet mot i keq. Dy hajnat grek sot n’nadje erdh policia greke e i muar t’dy; 4 tjertë ndenjen mrend, aty me na. Masdite na mrrine nja 23 të burgosur (hapsorë) francezë, harap, rrumen, maxharr, gjithfar kokllash, t’tanë ma e shumta kriminelë (delinkuente) e i mërthyen t’gjith në burgun t’onë. Në këtë çast, çoi koloneli i Francës nji njeri t’vedin me këto fjalë: koloneli asht shumë i idhnuem perse për ju ala s’mundet me ba kurrfarë ndryshimit e me përmirsue gjendjen tuej, por ju ep besën se shpejt, mas shkrimit qi koloneli ka ba ankas generalit n’Stambollë për ju, ka për t’ardhë përgjigja e mirë, e kështu ka me gjetë nji vend ku keni me kenë t’lirë, por veç nën mbikëqyrje (sorveglianzë) t’policisë. Diftoi se koloneli i Shkodrës nuk ka shkrue kurrgja për ju e ndaj puna juaj shkoi pak gjatë!
Kso dite pame dhe Mark Temalin, i cili na u afrua afër burgut (hapsit) por nuk mujtme me majtë kurrfarë bisedet me të, përse ishim të tepër t’rujtun prej xhandarmërijet. Por çoj Marku e na lypi emnat edhe na ja çuem.
Të shtunden me 15-2-19. Muerrme nji letër prej Markut... Moti gjith diten qe i keq por, prej mramjet çoi era e murrlanit.
Të diel me 16-2-19 ndihet mot i mirë. Une ndjehem i lig, përse kolla (koli) gjith natën e lume m’mundoj fort. Marku na çoi fjalë se ndër këto 220 dit ata kishin me kenë t’lirë… Para buket i muer policija greke ata katër hajnat e i çoi n’burg t’vedin. Këta hajna, përsa ndejne mrend u munduen me kenë shumë të ndershëm me ne. N’kohë t’bukes erdhën dhe dy harapë tjerë n’qeli. N’mrame une qesh nji grimë ma mirë, por Leci qe pak pa qef.
E hane 17-2-19. Para buket erdh kapitani e vizitoj qelën. Na tha: për ju pritet përgjigja e generalit e s’keni me ndejtë shum këtu. Në mrame prunë venë fracezt e u dehëm fort. Harapi qi ishte me të u deh dhe aj fort, e treti bylyzykun telit qi e kishte hajmali. Gadi gjith naten ndeja pa fjetë se kisha frikë se po na vjedhin.
E marte 18-2-19. U çue harapi e kërkote bylyzykun e ngaqe s’e gjete dote me pi helmin e me myt vedin. Helmin qi kishte me vedi ja fshehën shokët, përse m’at mendjen e ti dote me mytë vedin edhe ndonji tjetër qi dyshote (vesvese) se ja ka marrë. Dyshimin ma t’madh e pat nër ne shqiptartë. Desht zoti e gjet e kështu ra n’paqe. Mas buket erdh nji grek e na lajmoj se edhe ne po na tresin për Selanik, por këtii lajm s’e vuem vesh, përse greku ket fjal e thotë me na ligshtue. Moti qe t’gjith ditën i keq e shi i vogel e erë.
E mërrkurra 19-2-19. Moti pak turbull e jo i keq si dje.
E ejte 20-2-19, moti qe pak i mirë, por erë e fortë.
E prende 21-2-19, moti turbull, erë e keqe, e fortë. Mas buket u ngrita n’beden t’kalasë tuj këqyrë këmisha e teshat prej morrash, kur mora letrën e parë prej robve. Ket letër e shkrute Zefi e kalxote se robt kishin mrri shndosh e mirë n’Rromë. Sa u gzova per ket lajm. Nja tri dit përpara m’erdhe ky lajm, por jo aq i detajuar (detagliato) sikurse mora vesht me leter t’Zefit; ky veç thote: familia ka shkue për Itali. Tjeter ma gjatë, s’dite ç’me than.
E shtunde 22-2-19. Mot i keq fort, shi i padamë. Paçë nji letër prej Tash… me t’cillin m’ diftote se familja ash nis per Itali, por nuk dite vendin se ku ka ngulë. Për çka na kanë xane ne nuk dite gja, por se shkrue se lirimi jonë nuk shkon larg. Leci n’ket ditë i shkroi families n’ Rromë, e cilla mas lajmit qi na dha Zefi gjindet n’ Vilino Via Forci…
E diële 23-2-19. Gjithnji tuej cikrrue shi. Leci pa nji andër me t’cillën, sot 15 a 16 dit na do t’jena t’liruem prej këti burgu. E hane, 24-2-19. Moti gjithnji i keq e shi shum. N’12 sahatin u nisen per Selanik ata 23 francezt e burgosur. Harapi u da shum me mall prej nesh.
E marte 25-2-19. Moti i keq fort t’gjith ditën, por veshtë i patem rehat përse metme vetëm (vetun) e pa kallaballek.
E merrkuerra 26-2-19. Moti i mirë, por n’nadje, lagshtinë e madhe. Mas buket duelme e terëm shtrojat, u pastruam morash e natën e bame shum t’qetë.
E ejte 27-2-19. Moti i lig. N’mesditë na mrrine prap të tjerë … frances e na u mush qela prap me njerëz. Me ta bashkë qenë edhe tre serb. Kët masdite murme vesht se kapitani i xhandarmëris Bierlot ishte nisë qysh mrame per Selanik. Leci ju shkroi Shanit, Luigjit e Gasprit letra per shtepi. Edhe Mark Temali ishte nisë sot n’nadje për Pires.
E prende 28-2-19. Moti i keq t’gjith diten e t’gjith naten: shi, vetimë e bubullimë. Masdite hangme t’gjith nji tav bakala.
E shtunde 1 marc 1919. Moti ndjehi i ndrushëm( variabile). N ‘ nji sahatin mas mesditet u nisen ata 2-3 vetë q’ erdhne t’ejten… Disa ner ta ishin shumë t’poshter. Per keta qi u nisne i çuem leter e shndet Qamilit.
E dielë 2-3-19. Moti qe ngrice, por, ma t’shumen mot i mirë se shi. Në masdite duëlme n’muer t’kështjellit e pame maskerat. N’mrame goditme n’nji tavolinë t’keqe e lujtme lojën e tavolinës.
E hane 3-3-19, moti i mirë. Na paditen se na, me dikë japim e marrim letra.
E marte 4-3-19. Moti i mirë e duelem në mur t’kalasë per me gzue për kundruall Spianiden. Por sa u ulme n’mur erdh shefi e na tha: kam emër prej kolonelit mos me ju lanë me dalë n’mur e nëse se s’ndigjoni ket urdhen, jam i detyruem mos me j’u lanë më me dal asnji her diten jasht burgut. U çuem prej atij vendi, e ma s’duelm asnjiher ka ana e Spianades.
E mërrkuerra e Perlume ( 5-3-19) mot i turbull.
E ejte 6-3-19. Moti si dje. Françes, ingliz, italian e t’part e vendit, me popull e me shkolla, shkuen n’kishë t’vogel t’kalasë për të kujtuar të gjashtin vit që kanë marrë Janinën e për me j’u fal nderës Zotit se ket ditë mujten me ja hekë Shqypnis doret ket vend, o per me thanë ma mirë, me j’u falë nderës Madhnisë përse j’u ndihmoj..
E prende 7-3-19. moti i mirë e kurr nji send tjetër me randsi.
E shtundë 8-3-19. moti si dje.
E diele 9-3-19, moti filoj me u turbullue, pritme gjithnji se po marrim letër prej shtpijash a ndonji lajm t’mirë prej qeverijet per lirim t’onë.
E hane 10-3-19, moti i turbull fort, e shirok i keq. Nisme familjes nji kartolinë, edhe shoket nisne kartolina per shtepi.
E marte 11-3-19. Mot i mirë. Muerme nji lajm se ka ardhë nji notë prej dikujt për ne, qysh mrame naten. Ner pemë t’Spianadës pashë se kishin fillue me bulue. Njitash muërme vesht se ajo notë shkoj për Rromë. Po na thonë se puna e jonë shkon mir. Sot jashtë m’beden, hangme, nji bakalak t’qelbun. N’6 sahati, atëherë kur na mbylli shefi, na tha se sonte vjen nji vaporr prej Orjentit e, n’qoft se bje ndonji lajm t’mirë per ju, kam per t’ju diftue. Ky lajm na bani me u kujtue se na do dalim shpejt prej burgut. N’orë 8 e gjysmë u çil dera e burgut e hini shefi e na tha: nesër delni jashtë burgut, keni me kenë të lirë për Korfoz e për vend tuej s’mundena ala me u nisë. … na shkoj nata gadi pa gjumë.
E merrkurre 12-3-19. U çuem prej t’shtruemeve n’orë 5, u lame e u …, lidhme e mlodhme teshat. N’oren 6 e treçerek u çil dera e burgut e hini shefi e na tha: tash po vjen këtu ajutanti e po ju nep urdhërimin me dalë. Në 7 e gjys erdh ajutanti e na liroj preje burgut e, n’7 e 20 duelmë. Pime ka nji kafe. Leci duel me ethe t’forta prej burgut : t’gjith natën që shkoj qe pa qef fort. Duelm e kërkuem Filipin, qi na bite duhan n’burg, i cili na gjeti një odë me 6 shtretër. Leci ra n’dyshek e ethet j’u shtuen edhe ma fort. N’mrame çova Gjergjin e Kristo Gogës e mora mjekun, i cili e këqyri shumë mirë e i dha ilaçet qi u dojshin. Urdhnoj qi t’i vihen ca kapete, të cillat j’a bani Filipi. Dha edhe do bare tjetër për me e ba me u ndjersë. T’gjith natën e lume u ndjersit e e ndrrova katër herë.
E ejte 13-3-19. Leci ndihet shumë ma mir, por mjeku s’e la me u çue… tshtruëmjet e i dha nji purgë me të cillën u surdis e qitivënerë për sipri. Të gjith diten s’e la me hanger tjetër veçse tri vezë e do qumësht (tamel). Natën e bani t’qetë. Në ket ditë prejë masditje, u poqa me Formiken e n’sahatin 8 shkuem n’ konsullatë e folme me konsullin.
E prende 14-3-19. Leci ndihet shum ma mirë e duëlm e pime dy kafe. Shkruem nji leter per shtëpi e edhe nji kartolin.
E shtunde 15-3-19. Letrën ja dhamë Formikës me na e postu e ndejme me te nji copë herë t’madhe. Kartolinën e shtime bashkë me Gjergjin n’postë t’grekut. N’mrame shtime nji bakalak e thirrme Filipin me hangër bashkë me ne.
Ditari, në arkivën e Tinka Kurtit
Familja e Kurtëve i ka dhënë shumë asaj. Sa herë që i jepet rasti e kujton me shumë nderim familjen e të shoqit, një familje intelektualësh e muzikantësh, që e ka ndihmuar shumë në punën e saj si aktore. Tinka Kurti, në moshë fare të re u martua me Palokë Kurtin, nipin e Palokës, së Bandës së Shkodrës. I shoqi i saj arriti të ruante me fanatizëm dorëshkrime e materiale që mbanin firmën e palokës së vjetër e të Lecit. Gjatë viteve të komunizmit, kur për hir të Lec Kurtit, disa nga të familjes u internuan dhe shtëpia e tyre në Shkodër u bastis, ata fshehën dhe ruajtën me kujdes ç’të mundnin. E shtyrë nga muzikologu Sokol Shupo, i cili ka mbledhur një pjesë të mirë të veprave të Lec Kurtit në Shkodër, madje para do kohësh realizoi edhe një koncert me disa prej këtyre pjesëve, ajo nxori nga “arkivat” e saj edhe ditarin e Palok Kurtit.