E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas 1 janarit prokurimet on-line edhe në komuna

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që informatizimi i procedurave tenderuese të shtrihet edhe në pushtetin lokal, bashki apo komunë qoftë ajo. Sipas Kryeministrit, kjo procedurë duhet të jetë gati që në janar të vitit të ardhshëm në vazhdën e projektit Shqipëria në moshën e internetit . Ai shtoi se e njëjta procedurë duhet të përdoret edhe nga Ministria e Ekonomisë për procedurat koncesionare. “Situata e prokurimeve elektronike na fakton se kursimet me këtë procedurë u rritën nga 8 % që ishin me procedurë të hapur, në 15% me procedurat elektronike",- u shpreh kryeministri Berisha, duke nënvizuar se ky proces në disa dikastere po ecën shumë mirë, ndërsa në disa të tjera duhet të ecë më mirë.” Kreu i Qeverisë vuri në dukje se në një vit kursehen minimalisht 200 milionë dollarë, që kanë efektin e 500 milionë dollarëve, për shkak të integritetit të procedurës dhe efekteve në luftën kundër korrupsionit. Në këtë drejtim, ai kërkoi nga Agjencia Kombëtare e Prokurimeve, që duke nisur nga data 1 janar 2009, të mos shpallë asnjë prokurim, nëse ai nuk do të jetë elektronik. Në të njëjtën kohë, Kreu i Qeverisë u bëri thirrje të gjitha autoriteteve kontraktuese të vendit, në veçanti të gjitha bashkive dhe komunave, që të veprojnë me shpejtësi në këtë drejtim, pasi "qeveria nuk do të lëvrojë asnjë qindarkë nga buxheti i saj, pa u plotësuar ky kusht". Kryeministri kërkoi që Ministria e Brendshme të organizojë kurse trajnimi për prokurimet elektronike në gjithë komunat dhe bashkitë e vendit. Sipas Berishës, kjo masë merret për të mbrojtur paratë e qytetarëve dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç se transparencë të plotë me taksat e tyre. Kryeministri vlerësoi edhe raportin më të fundit të Bankës Botërore, e cila, sipas Berishës, e rendit vendin tonë të dytin në listë për sa i përket zhvillimit të reformave. "Në klasifikimin e përgjithshëm Shqipëria lë mbrapa në tërësi rreth 50 vende në pozicionin e saj. Reformat e këtij viti kanë bërë që Shqipëria të spostohet nga vendi i 136-të në vendin e 86-të, kurse për disa tregues Shqipëria po ecën drejt çatisë së botës",- vlerësoi kryeministri Berisha. Kreu i Qeverisë vuri në dukje se raporti i Bankës Botërore do t i ushtrohet një analize të hollësishme nga ministritë dhe agjencitë e linjës, në mënyrë që të përcaktohen të gjitha detyrimet që dalin përpara për të kapur stacionin tjetër.
Ky lajm është publikuar: 11/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›