E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kërkon prezencën e Policisë së Shtetit

Autori i Lajmit: red.
Komisioni i Sigurisë ka vazhduar edhe dje diskutimin e draftit për “Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”. Përfaqësues të opozitës kërkuan me këmbëngulje prezencën e përfaqësuesit në nivel ministror të Ministrisë së Brendshme, si dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili dhe pse preket drejtpërdrejt nga ky projekt, nuk ka paraqitur asnjë vërejtje apo sugjerim lidhur me këtë projekt. Kritikave të opozitës u është bashkuar dhe deputeti demokristian Jak Ndokaj. “Me këtë ligj Policia e Shtetit bie nën varësinë e SHKB-së, organ besnik i ministrit në pushtet. Ligji ka shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, pasi ai nënkupton se Policia e Shtetit është e inkriminuar, ndërkohë që punonjësit e tij zgjidhen në bazë të kritereve ligjore”, - tha ai. Por për kreun e Komisionit, Leonard Demin, nuk ndodh një gjë e tillë. “Unë e vlerësoj projektin në tri shtylla kryesore: në respekitmin e të drejtave të njeriut, pavarësinë e institucioneve nga politika dhe profesionalizmin. Ky ligj mendoj se i kënaq të trija këto shtylla dhe unë e mbështes atë”, - tha kryetari i komisionit, deputeti i PD-së, Leonard Demi. Po dje, ky draft është diskutuar dhe në Komisionin e Ligjeve ku kanë kaluar vetëm 13 nene të tij. Komisioni i Sigurisë është dhe komisioni përgjegjës për këtë projektligj. Pritet që në mbledhjen e ardhshme të tij të nisë diskutimi nen për nen.
Ky lajm është publikuar: 11/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›