E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: “Gati të ndryshojmë Kushtetutën”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo lloj kompromisi dhe çdo lloj oferte që është në funksion të këtij qëllimi. Ky është një qëllim yni, artikuluar 5 vjet më parë, dhe ne kemi qenë konsistentë për gjithë këtë periudhë dhe jemi të vendosur t i shikojmë të gjitha alternativat në mënyrë që të arrijmë kufizimin e imuniteteve”

Demokratët janë të gatshëm të ndryshojnë përsëri Kushtetutën për të përfshirë në të dhe heqjen e imunitetit. Ky qëndrim është shprehur dje nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili përshëndeti deklaratën e ambasadorit Xhon Uidhers për imunitetin e zyrtarëve. Në emër të Grupit Parlamentar Demokrat, Patozi tha se mazhoranca fton opozitën për bashkëpunim dhe e cilësoi çështjen e imunitetit hap kyç në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, kufizimi i imunitetit do të na afronte më shumë me vendet demokratike dhe të qytetëruara të botës. Në zyrat e Kuvendit tashmë prej muajsh gjendet drafti i demokratëve për heqjen e imunitetit, por dhe një deklaratë zyrtare e socialistëve, të cilët kanë hequr dorë vullnetarisht nga imuniteti. Por këto dokumente vazhdojnë të mbeten në kuadrin e draftit për sa kohë nuk marrin votat e Kuvendit për t u kthyer në ligje të detyrueshme për t u zbatuar.
Deklarata
“Ftojmë Partinë Socialiste, si forca kryesore politike e opozitës, por edhe të gjitha grupet e tjera parlamentare, që të ulemi bashkë dhe pa humbur kohë të ndahemi me ligj nga korraca e panevojshme e imunitetit”, - pohoi dje Patozi. Sipas tij, ky ligj do të ishte një gjest i mirëpritur nga shoqëria shqiptare dhe një mesazh i qartë për të gjithë se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri do të hyjë në një stad të ri. Patozi theksoi se e mbrojtur nga imuniteti nuk është vetëm politika, por ngurrimi i saj për ta lënë këtë mburojë është e pamoralshme kundrejt zyrtarëve të tjerë, të cilëve u kërkohet kjo gjë. “Ne mendojmë se ky vend e ka të nevojshme më shumë se kushdo tjetër që të heqë këtë barrierë të lartë që jo vetëm i bën hije, por edhe e pengon në mënyrë thelbësore në luftën kundër korrupsionit”, - tha ai. Sipas kreut të deputetëve demokratë, kufizimi i imunitetit do të na afronte më shumë me vendet demokratike dhe të qytetëruara të botës, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me ato të Bashkimit Evropian. “Duke shpresuar që opozita do të gjejë forcë për ta mirëpritur këtë ofertë që, fatmirësisht, nuk është vetëm jona ne mbetemi të vendosur t i japim të gjithë kontributin tonë në funksion të këtij qëllimi, i cili nuk mund dhe nuk duhet të jetë i një partie të vetme”, - tha Patozi. I pyetur nëse PD është e gatshme të pranojë sugjerimin e socialistëve për të ndryshuar Kushtetutën në lidhje me këtë çështje, Patozi tha se mirëpresin çdo iniciativë. “Ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo lloj kompromisi dhe çdo lloj oferte që është në funksion të këtij qëllimi. Ky është një qëllim yni, artikuluar 5 vjet më parë, dhe ne kemi qenë konsistentë për gjithë këtë periudhë dhe jemi të vendosur t i shikojmë të gjitha alternativat, në mënyrë që të arrijmë kufizimin e imuniteteve, i cili sigurisht duhet të nisë nga politika, por duhet të prekë edhe sektorë të tjerë të shtetit shqiptar”, - tha ai. Ai falënderoi gjithashtu dhe deklaratën e bërë dy ditë më parë nga ambasadori amerikan Xhon Uidhers, për heqjen e imunitetit. Sipas Patozit, deklarata e tij është një ftesë miqësore dhe një inkurajim për gjithë klasën politike shqiptare, e cila duhet të dalë mbi paragjykimet dhe ndasitë e momentit dhe t i japë vendit një kulturë të re të sjelljes dhe të vendosjes së zyrtarëve të lartë para ligjit. Ambasadori amerikan ka deklaruar në media se Gërdeci, reformat, trafiku i qenieve njerëzore dhe korrupsioni janë 4 plagët e Shqipërisë. “Mendoj se një prej hapave kyçe që mund të ndërmerren në këtë drejtim ka të bëjë me imunitetin e anëtarëve të Parlamentit. Dhe do t u bëja thirrje përsëri qeverisë dhe opozitës: më lejoni të theksoj, edhe qeverisë, edhe opozitës, që të bashkohen për të marrë masa mbi çështjen e imunitetit”, - ka pohuar Uidhers. Pritet që Kuvendi të futë për rishqyrtim çështjen e imunitetit, e cila tashmë ka kohë që është shtyrë.
Ky lajm është publikuar: 11/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›