E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 1 majit pagat për punonjësit e policisë, arsimtarët, mjekët dhe ushtarakët

29/04/2009  Vendimet e qeverisë për pagat e administratës shtetërore

Një nëninspektor i mesëm përfiton 100% rritje të pagës

Këshilli i Ministrave ka vendosur në mbledhjen e fundit të tij të rrisë rrogat për punonjësit e Policisë së Shtetit. Përmes një vendimi të posaçëm qeveria ka përcaktuar në detaje rritjen e rrogave për punonjësit e policisë, ku parashikohet që punonjësi i Policisë së Shtetit që pranohet në shkollën bazë të policisë gjatë kohës së qëndrimit në shkollë përfiton trajtim me pagë në masën 60 për qind të pagës së gradës “Nëninspektor” kur ka përfunduar arsimin e mesëm dhe 100 për qind të pagës së po kësaj grade kur ka përfunduar arsimin e lartë. Po ashtu parashikohen edhe pagat e tjetra. Qeveria në vendimin e miratuar përcakton masën e shpërblimit edhe për ata punonjës të Policisë që shkollohen apo trajnohen brenda ose jashtë vendit. Në vendimin e mbështetur nga trupa ministrore theksohet se “punonjësi i Policisë së Shtetit që kryen kurse shkollimi ose trajnimi brenda ose jashtë vendit, gjatë kohës së shkollimit/trajnimit përfiton pagën mujore të vendit të fundit të punës para fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit”. Ndërkohë pagesa për këta punonjësi bëhet nga struktura e policisë ku ka qenë efektiv përpara fillimit të shkollimit/trajnimit. Gjithashtu në vendimin e miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë theksohet se punonjësi i Policisë së Shtetit që nuk është efektiv me kohë të plotë në institucionet e sistemit arsimor policor, por bashkëpunon me këto institucione si punonjës i jashtëm, për çdo orë mësimore 60-minutëshe përfiton një pagë të caktuar. Kështu, për ata që kryejnë kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit zbatues në masën 300 lekë/për orë, për ata që ndjekin kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit të parë drejtues në masën 400 lekë/për orë dhe për ata që ndjekin kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit të mesëm drejtues në masën 500 lekë/për orë. Në vendimin e qeverisë theksohet se efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti i vitit 2009 miratuar për Policinë e Shtetit, si dhe nga fondet për rritjen e pagave miratuar për vitin 2009. Qeveria ka vendosur që të ngarkojë Ministrinë e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi. Gjithashtu në mbledhjen e qeverisë është miratuar rritja e pagave edhe për punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror, duke bërë klasifikimin e tyre, si dhe pagat e reja për punonjësit e policisë së shpëtimit dhe të mbrojtjes nga zjarri.

Vendim për njohjen e kartave të identitetit

Qeveria ka vendosur që institucionet publike dhe jopublike, vendase dhe të huaja, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të njohin si dokument identifikimi letërnjoftimin e ri elektronik. Sipas vendimit, certifikata personale me fotografi do të përdoret si dokument identifikimi vetëm për shtetasit nën moshën 16 vjeç. Sipas vendimit institucionet, mbajnë shënim numrin personal dhe numrin e letërnjoftimit si dhe mund të bëjnë fotokopje të letërnjoftimit të shtetasve, të cilëve u shërbejnë nëse u nevojitet ky dokument si pjesë përbërëse e praktikës përkatëse. Ndërkohë në rastet kur shtetasit nuk disponojnë letërnjoftim për arsye të justifikuara, lejohet përdorimi i certifikatës personale me fotografi si dokument identifikimi deri më 31 dhjetor 2009, në përputhje me dispozitat e parashikuara në aktet e tjera ligjore dhe nënligjore. Vendimi saktëson se ndaj punonjësve të institucioneve publike dhe jopublike vendase në rast të moszbatimit të dispozitave të parashikuara në këtë vendim do të merren masa disiplinore, fillimisht me gjobë, në vlerën e gjysmës së pagës, në rast përsëritjeje gjobë në vlerën e një page dhe nëse ripërsëritet pezullim nga detyra.

Afate të reja për pajisjen me letërnjoftime

Afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare ka shtyrë qeverisë të marrë një vendim për pajisjen për herë të parë me letërnjoftim të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve. Sipas vendimit, i cili sjell ndryshime në vendimin e marrë po nga Këshilli i Ministrave më datë 7 janar të këtij viti, shtetasve u jepen edhe disa ditë më shumë kohë për të aplikuar dhe më pas pajisur me kartat e reja të identitetit. Kështu, në vendim thuhet se afati për aplikim nga “15 prill 2009” bëhet “30 prill 2009”. Vendimi i miratuar thuhet se mbështetet në Kushtetutën e vendit, në Kodin Zgjedhor dhe në ligjin e datës 10 nëntor 2002, “Për dokumentin e identitetit të shtetasve shqiptarë” dhe të ligjit të datës 28 korrik 2008, “Për ratifikimin e kontratës koncesionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit të “SAGEM Securite” e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve”.

Administrata shtetërore

Punonjësit e administratës shtetërore do të përfitojnë gjithashtu rritje të pagës së tyre. Në vendimin e qeverisë janë përcaktuar nivelet e reja të pagave për nëpunësit e institucioneve të ndryshme, në varësi të ministrive të linjës. Kështu, vendimi specifikon rritjen e nivelit të pagave për të gjithë ata punonjës të administratës publike në bazë të postit që gëzojnë, duke filluar nga specialist, përgjegjës sektori etj. Qeveria ka vendosur të rrisë edhe pagat për nëpunësit e administratës së prefektëve. Sipas vendimit, efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga fondet e politikës së pagave, miratuar për vitin 2009.

Nivelet e pagave për funksionet:

a) Prefekt i qarkut të Tiranës - 115 000 lekë.

b) Prefekt i qarqeve të tjera - 107 000 lekë.

c) Nënprefekt në nënprefekturën e Kavajës, Lushnjës dhe Sarandës - 92 000 lekë.

ç) Nënprefekt në nënprefekturën e Krujës, Pogradecit, Librazhdit, Tepelenës, Përmetit, Matit, Pukës, Tropojës dhe Skraparit - 85 000 lekë.

d) Nënprefekt në nënprefekturën e Malësisë së Madhe, Bulqizës, Peqinit, Gramshit, Devollit, Mallakastrës, Hasit, Kuçovës, Mirditës, Delvinës, Kurbinit dhe Kolonjës - 79 500 lekë.

dh) Këshilltar i prefektit të Tiranës - 62 000 lekë.

e) Zëdhënës i prefektit të Tiranës - 52 000 lekë.

Rritjet e pagave në shëndetësi

Këshilli i Ministrave në vendimin e tij të fundit ka bërë ndryshime në nivelin e pagave për punonjësit e sistemit shëndetësor, duke i rritur ato. Kështu, sipas vendimit të qeverisë janë përcaktuar nivelet e pagave të mjekëve për çdo shërbim rojë 24 orë pa ndërprerje. Në këtë pikë përfshihen mjekët roje të nivelit të parë dhe të dytë në Qendrën Spitalore Universitare si dhe për shërbimin e urgjencës së rrethit të organizuar dhe që funksionon si qendër spitalore universitare.

Në Qendrën Spitalore Universitare:

Mjek roje i parë, mjek roje i dytë

Për ditët e zakonshme - 3500, 3300.

Për ditët e shtuna - 3900, 3700.

Për ditët e diela e festat - 4300, 4100.

Për shërbimin e urgjencës së rrethit, të organizuar dhe që funksionon si e tillë, u jepet për kohën që kryejnë shërbimin e urgjencës një shpërblim:

Në ditët e zakonshme, në ditët e shtuna, Në ditët e diela e festa:

- për sistemin 24 orë – 3000, 3200, 3 400;

- për sistemin 16 orë – 2800, 3000, 3600;

- për sistemin 12 orë – 2400, 2600, 2800.

Rritjet e pagave në arsim

Qeveria ka vendosur përmes vendimit të miratuar në mbledhjen e fundit rritjen e rrogave për mësuesit. Kështu, sipas vendimit punonjësit mësimorë efektivë që për nevoja të procesit mësimor japin orë mësimi mbi normën e lejuar mësimore paguhen për çdo orë mësimore shtesë në masën: në shkollat e mesme - 300 lekë, ndërsa në shkollat 9-vjeçare 250 lekë.

Tabela

- Në shkollat e mesme - 300 lekë.

- Në shkollat 9-vjeçare - 250 lekë.

Punonjësit e jashtëm të specialiteteve të ndryshme që japin mësim në shkollat e mesme, në shkollat teknike e profesionale si dhe në kurset e ndryshme (me përjashtim të kurseve që ngrihen pranë shkollave të larta dhe institucioneve të tjera të kualifikimit të punonjësve mësimorë), për çdo orë mësimore shpërblehen në të njëjtën masë me punonjësit mësimorë efektivë si më sipër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›