E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarë, 96 për qind e djemve në moshë

29/04/2009  Mbyllet faza e rekrutimit të ushtarëve me detyrim. Shumë ankesa për dhunim të ligjit

Dega e Mobilizimit: Problemet lindin nga mosveprimi i pushtetit vendor

ELBASAN-Muaji prill ka qenë edhe muaji i mobilizimit të ushtarëve për shërbimin e detyrueshëm në qarkun e Elbasanit. Kjo fazë është mbyllur në masën 96%. Kolonel Fatri Kasapi, drejtues i Qendrës së Mobilizimit në Elbasan thotë se faza e mobilizimit është shpallur qysh në muajin mars dhe i është lënë një muaj kohë pushtetit vendor dhe familjeve për t’u njohur me procesin deri në rekrutimin e shtetasve. Ai deklaron se një muaj nga fletë-thirrja qytetarët e moshës 19-27 vjeç duhet të paraqiten për kryerjen e detyrueshme të shërbimit ushtarak, në rast të kundërt, sipas tij, ata paralajmërohen se do të merren edhe forcërisht në ushtri në zbatim të ligjit. Për këtë qëllim ka edhe një marrëveshje mes dy ministrive asaj të Mbrojtjes dhe të Brendshme për ndërhyrjen e policisë së shtetit. Kasapi sqaron se nuk është faji i Qendrës së Mobilizimit në rast se qytetarët gjenden të papërgatitur për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. “Ekziston një procedurë, e cila zbatohet nga pushteti vendor mbi kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili është detyrim ligjor. Kur personat kanë mbushur moshën 19 vjeç, përfaqësuesi i pushtetit vendor dërgon fletë-thirrjen pranë familjes së këtij personi dhe i kërkon të firmosë për njoftimin, një pjesëtari familjeje mbi moshën 18 vjeç. Në rastet kur ky person refuzon atëherë shkruhet që refuzon të firmosë dhe pas një muaji nga depozitimi i saj vepron policia e shtetit në rast të mosparaqitjes së personit të thirrur për shërbimin ushtarak”. Kasapi e quan këtë një procedurë të rregullt ligjore megjithëse pranon se përfaqësuesit e pushtetit vendor nuk e zhvillojnë në mënyrë të plotë këtë proces dhe ka shumë raste kur nuk është njoftuar për shërbimin ushtarak një person apo familje. Ai sqaron gjithashtu edhe rastet e përjashtimit nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Kështu nuk detyrohet të kryejë shërbimin ushtarak ai shtetas që vërteton paaftësi shëndetësore, raport që merret ekskluzivisht nga spitali i ushtrisë, kush është kryefamiljar dhe ka në kujdestari prindër apo pjesëtarë të tjerë dhe kush është të paktën një ditë më i vogël se 19 vjeç dhe një ditë më i madh se 26 vjeç. Nuk përjashtohen nga shërbimi ushtarak të rinjtë në moshën e përcaktuar që vazhdojnë shkollë pa shkëputje nga puna dhe ata që kanë qoftë edhe dyshtetësi. Në Elbasan faza e marrjes së detyrueshme të rekrutëve të rinj për shërbimin ushtarak ka filluar në 1 prill dhe është mbyllur në javën e fundit të këtij muaji. L. Lleshi

Problemet me vendorët

Armand Ziu vazhdon shkollën e mesme me korrespondencë dhe ishte duke punuar si kamerier në një lokal kur është marrë nga policia dhe është shoqëruar në degën e Mobilizimit. Ai dhe familja e tij deklarojnë me përgjegjësi se ata nuk kanë marrë asnjë fletë-thirrje për marrjen e djalit. Ata thonë se do të ngrenë një padi, pasi sipas tyre nuk është respektuar ligji për njoftimin dhe afatin kohor për paraqitjen e djalit të tyre. Raste të ngjashme ka plot dhe sipas specialistëve të mobilizimit në këto raste përfaqësuesit e pushtetit vendor i plotësojnë fiktivisht dhe nuk i verifikojnë rastet e shtetasve nëse vërtet janë jashtë vendit apo ndodhen këtu. Paralel me këtë proces vazhdon edhe rekrutimi i ushtarëve me pagesë, të cilët plotësojnë kriteret e vendosura dhe dalin fitues në testimin që u bëhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›