Çmimi i naftës në Tiranë shkon 170 lekë për litër
Çmimi i naftës pësoi një rritje tjetër në tregjet vendase këto ditë, ku një litër naftë eurodizel është shitur me 170 lekë, nga 165-168 lekë që shitej javën që shkoi. Pavarësisht se nafta që po shitet aktualisht është importuar me çmim shumë më të ulët se ç’po shitet aktualisht, pikat e pakicës po e rrisin çmimin përditë, njëlloj si në bursat e SHBA-së. Për më tepër mësohet se tregtarët e mëdhenj të naftës kanë rënë dakord që ta shesin një litër naftë në fund të javës që vjen edhe me 175 lekë/litri. Madje, disa kompani kanë bllokuar tregtimin e naftës së importuar me çmim të ulët për ta shitur atë kur çmimet të jenë më të larta. Duke qenë se është faktuar tashmë se çmimi i naftës në vendin tonë është më i lartë se në vendet fqinje, ku një litër naftë nuk kushton më shumë se 1 euro, tregtarët e naftës shpjegojnë se në Shqipëri taksat për këtë produkt janë të larta. “Për një litër naftë eurodizel, 60 lekë janë taksa”, - shpjegojnë tregtarët. Por vetëm pak kilometra nga Tirana, nafta në pikat e pakicës kushton jo më shumë se 150 lekë/litri, plot 10 lekë më pak se në kryeqytet. Këtë ndryshim të çmimit, që nuk ndikohet nga tregjet ndërkombëtare, tregtarët në pikat e pakicës e shpjegojnë me faktin se “në Tiranë ka më shumë kërkesë për naftë, se përgjatë rrugëve nacionale dhe në rrethe”. Mirëpo, ndryshimi i çmimit nga Tirana në rrethe nuk është modest, por tregon për një deformim dhe spekulim të tregut me çmimin e naftës edhe brenda për brenda vendit. Madje, nga e njëjta kompani, çmimi nga Tirana në rrethe ndryshon dhe kjo gjithmonë për faktin se në Tiranë numri i automjeteve është më i madh. Çmimi i lartë i naftës dhe ndryshimi i tij në Tiranë dhe jashtë saj, konsiderohen nga tregtarët e naftës si, “pasojë e infrastrukturës së dobët që kanë importuesit dhe pamjaftueshmëria e rezervave për t'i përballuar ndryshimet e çmimeve në tregun ndërkombëtar”.
10 Qershor 2008