Pas 6 dekadash gjenden mbetjet e anijes britanike të “Konfliktit të Korfuzit”
Pranë Greqisë janë gjetur copa të një luftanije britanike, e cila ishte dëmtuar rëndë nga minat shqiptare në vitin 1946, ngjarje që tensionoi marrëdhëniet mes dy vendeve për dekada të tëra. Lajmin e dhanë kërkuesit amerikanë dhe ata shqiptarë. Mbeturinat u gjetën 50 metra nën Kanalin e Korfuzit, midis territorit shqiptar dhe ishullit grek të Korfuzit. Besohet se pjesa e gjetur i përkiste direkut të luftanijes britanike “HMS Volage”. Dyzet e katër marinarë britanikë kanë vdekur në shpërthimet e minave që dëmtuan “Volage” dhe një gjuajtës tjetër të marinës britanike, “Saumarez HMS”. Të dyja anijet pësuan dëme të shumta dhe nuk arritën dot në Korfuz për riparime. Incidenti ndërpreu bisedimet midis Shqipërisë komuniste dhe Britanisë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike që ishin prishur po atë vit. Marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Britanisë u rivendosën vetëm në vitin 1991. “Ndërsa janë dobësuar shumë nga balta, mbetjet tregojnë korniza çeliku, instalime elektrike, municion, oxhaqe e pllaka qeramike, restorant britanik dhe mbetje çizmesh ose këpucësh”, tha James Delgado, president i Institutit të Nautikës dhe Arkeologjisë, i cili ishte pjesë e ekipit ndërkombëtar të ekspertëve. Instituti është organ jofitimprurëse kërkimor i lidhur me “Texas A & M University”. Zbulimi ishte pjesë e një përpjekje për të krijuar një hartë të trashëgimisë kulturore nënujore të bregdetit shqiptar dhe është duke u koordinuar nga “Key Uest”, Florida, me bazë Fondacionin Nautikal RPM, i ndihmuar edhe nga autoritetet shqiptare. Objektet janë nxjerrë nga kanali dhe do të analizohen për konfirmim, por mënyra e zbulimit sugjeron se ky ishte vendi ku HMS Volage goditi minën që shkatërroi edhe direkun e saj”, tha Delgado për AP. Mbeturinat, të cilat shtrihen në portin e Sarandës, u nxorën nga një nëndetëse e kontrolluar me tre kamera. Nga vdekja e marinarëve britanikë “nisi një mosmarrëveshje mes Britanisë dhe Shqipërisë” që zgjati 45 vjet. Shqipëria refuzoi t’i paguajë dëmet Britanisë, sipas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Britania u kundërpërgjigj duke bllokuar lirimin e arit shqiptar të marrë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë janë bërë dy marrëveshje, në vitin 1992 dhe 1996, sipas të cilës pronësia e shumicës së arit iu kthye Shqipërisë. Kërkuesit thanë se një raport mbi zbulimin e anijes dhe pamjet e saj u ishin dërguar qeverive shqiptare dhe britanike.