“Vetëvendosje”, fushatë kundër zgjedhjeve
Lëvizja “Vetëvendosje” u ka kërkuar kosovarëve të bojkotojnë zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, pasi kështu “shmanget decentralizimi në baza etnike”. Lëvizja “Vetëvendosje” është shprehur kundër krijimit të komunave të reja me shumicë serbe. “Premtimi kryesor, për të cilin po mbahen këto zgjedhje lokale, po mbahet i fshehur nga fushata parazgjedhore, e ky premtim është ‘votoni për decentralizimin, pavarësisht kandidatëve që po garojnë’”, tha aktivisti Glauk Konjufca. Zgjedhjet lokale, duke u bazuar në Planin e Ahtisarit, mbahen edhe në tri komunat e reja me shumicë serbe: Kllokot, Graçanicë dhe Ranillugë. Novobërda do ta zgjerojë territorin e saj. Këto ndryshime, sipas Lëvizjes “Vetëvendosje”, dëmtojnë komunat aktuale dhe i hapin rrugë decentralizimit në vija etnike. Por, ndërsa Lëvizja “Vetëvendosje” kërkon bojkotim të zgjedhjeve dhe moszbatim të decentralizimit, institucionet e Kosovës po u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht serbëve lokalë, që të marrin pjesë në zgjedhje për të jetësuar reformën e pushtetit lokal.