Korçë, bie bora e parë, bllokohen mjetet
KORÇE - Moti është përkeqësuar dje në Korçë, duke sjellë temperatura nën zero dhe reshje të dëborës. Banorët janë alarmuar pasi ende nuk kanë mbledhur prodhimet. Ndërsa në rrugët rurale dhe nacionale shtresa e dëborës vështirësoi qarkullimin. Dëbora që arriti 15–20 cm, nxori për herë të parë këtë vit borëpastrueset. I vështirë në orët e para të mëngjesit ishte qarkullimi në aksin Korçë-Kapshticë. Dëbora ishte e butë , por ajo duke mbuluar asfaltin përbënte rrezik për rrëshqitjen e mjeteve, një pjesë e të cilëve nuk i kishin me vete zinxhirët. I vështirë ishte edhe kalimi në segmentin nga gryka e Cangonjit deri në pikën kufitare të Kapshticës. Drejtuesit e qarkullimit bënë të ditur se kanë ndodhur disa aksidente dje nga rrëshqitja e makinave, por për fat të mirë vetëm një person ishte plagosur. j.gj