Trenat shqiptarë në Mal të Zi
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Pas 3 dekadash, trenat shqiptarë të mallrave do të mund të hyjnë në Mal të Zi. Në fillim të muajit dhjetor pritet që të fillojë importimi i mallrave me linjë hekurudhore nga shteti fqinj dhe njëkohësisht edhe eksportimi i mallrave po nga e njëjta linje transporti. Një fakt të tillë e pohon vetë drejtori rajonal i hekurudhës, Tonin Trupa, i cili shton se kjo realizohet falë një marrëveshjeje të nënshkruar vetëm pak ditë më parë mes dy drejtorive respektive hekurudhore, të Shqipërisë dhe Malit të Zi. “Është fat që më së fundi po riaktivizohet një transport i tillë, por palës shqiptare do t’i duhet shumë punë që të vërë në eficencë linjën hekurudhore”, pohon Trupa. Mësohet se ky rikthim shënohet pas dhjetëra vitesh, që pas ndalimit të kësaj lëvizjeje në vitin 1972. Data 13 dhjetor shënon edhe ditën kur pala shqiptare do të bëjë tërheqjen e vagonëve të parë të mallrave në drejtim të Shqipërisë nga stacioni i ndërkombëtar i trenit në Tuz të Malit të Zi. “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe për të bërë realitet fillimin e punës për këtë transport, nga pala shqiptare kërkohet një impenjim dhe përkushtim maksimal, që ne të përfaqësohemi denjësisht në hekurudhën ndërkombëtare”, thotë Trupa. Aktualisht, sipas tij, ka shumë mangësi si me garniturat, personelin dhe ajo që është më e rëndësishmja siguria e lëvizjes së trenave, pa përmendur këtu problemet e vogla që po dalin në pah çdo ditë nga përgatitjet e fundit që po bën hekurudha. “Vëmendja kryesore e personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave është riaftësimi i aksit hekurudhor Vorë-Shkodër me qëllim rritjen e shpejtësisë së lëvizjes në këtë segment. Prej një muaji ka nisur puna për rikonstruksionin e plotë të kësaj linje dhe pritet që brenda harkut kohor të një viti të përfundojë puna plotësisht”. Sipas drejtorit të Hekurudhës në Shkodër, i vetmi problem shqetësues që është evidentuar gjatë punës për rikonstruksionin e linjës Vorë-Shkodër janë mbikalimet e ligjshme dhe të paligjshme që janë ndërtuar vitet e fundit përgjatë trasesë. Ditët e fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave ka nisur punën për hartimin e projektit të fizibilitetit të linjave, përhapjes demografike të popullsisë për të përcaktuar përfundimisht mbikalimet më të domosdoshme dhe ato pastaj të ndërtohen brenda të gjithë kushteve teknike të hekurudhës. Riaftësimi i linjës ka filluar nga Vora në drejtim të Shkodrës dhe më pas në drejtim të kufirit, duke bërë zëvendësimin e traversave të vjetra prej druri me të reja prej betoni. Aktualisht puna ka mbërritur deri në zonën e Budëllit.