E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas 6 fitoreve në Kupë, Tirana frenohet në Ballsh

Nga AGIM META

Stadiumi Adush Muça mbetet tabu për bardheblutë, të cilët në dy vitet e fundit nuk e kanë provuar shijen e fitores, Shensoji ska frikë asnjë ekip

 

BYLIS – TIRANA 0 0

BYLIS: Frashëri, Kelmendi, Adebayo, Ristevski, Idrizi, Koreshi (Abazaj 76), Teqja, Meto (Kule 68), Popoviç (Jakob 69), Dimo, Xhafa. Trajner: N. Shensoj.

Kartonë të verdhë: Kelmendi

TIRANA: I. Lika, Sina, Dushku, Pisha, Ahmtataj, Taku, Ferraj (Kalari 65), Karabeci, Duro (Cikalleshi 65), G. Lika (Morina 80), Bala. Trajner: H. Rubio

Kartonë të verdhë: Bala, Sina

Gjyqtarë: R. Sadiku, R. Preça, E. Gançi (Elbasan)

 

Radiografia

5 – Taku provon të gjuajë nga larg, por topi përfundon jashtë portës së Frashërit.

25 – Dimo në zonë godet me kthesë. Sfera, pasi përplaset tek një mbrojtës mik, pritet nga Lika.

38- Janë sërish ballshiotët, me anë të Dimos, që harkon rrezikshëm në zonë dhe grushton sërish Lika.

42- Sina gjuan nga 30 metra mbi portën e Frashërit

45- Pasiguri e Frashërit. Duro ka një mundësi ideale për të shënuar, por gjuan keq.

57- Dimo ka dy mundësi që të shënojë në zonën e rreptësisë, godet, por topi fillimisht devijohet nga një mbrojtës mik, ndërsa gjuajtja e dytë është jashtë kuadratit.

59- Duro tenton nga një goditje dënimi prej 30-m, por topi devijohet dhe kontrollon Frashëri me siguri.

63- Idrizi harkon në zonë, del i sigurt Lika dhe zotëron topin.

68- Bala ka një mundësi shënimi, por gjuajtja e tij përfundon jashtë kuadratit.

75 – Xhafa gjuan nga larg, por portieri i Tiranës Lika i mohon golin.

81- Bekim Bala ka një mundësi për të gjuajtur, por devijimi i Idrizit dhe më pas Frashëri neutralizojnë gjuajtjen e shkodranit.

88- Idrizi, nga një goditje dënimi, e dërgon topin në zonë, por mbrojtësit tiranas largojnë topin.

Tirana bën ndalesën e parë në kupë, pikërisht dje në stadiumin Adush Muça të qytetit të Ballshit, ku skuadra e spanjollit Hulian Rubio nuk ka shkuar më larg se barazimi. Trajneri spanjoll, Hulian Rubio, dje priste një fitore nga të tijtë, si dhuratë për 60-vjetorin, por mbrojtja e Bylisit ka qenë në lartësinë e detyrës dhe ka spikatur edhe nigeriani Adebayo, i cili ka debutuar me fanellën ballshiote.

Barazimi 0-0 ka qenë verdikti i ndeshjes së kupës,  Bylis-Tirana. Takimi ka nisur me raste sporadike nga të dy ekipet, por që e kanë pasur të pamundur të gjejnë golin. Djemtë e trajnerit Shensoji duket se janë në formë të mirë fizike, ndërsa Tirana la shumë për të dëshiruar dhe dje nuk tregoi atë nivel që pritej.

Pjesa e parë Pavarësisht tentativave që kanë bërë lojtarët, fillimisht për Bylisin, Idrizi e Dimo, kurse për bardheblutë, Duro e kapiteni Sina, loja është zhvilluar më shumë në mesin e fushës, ku ka pasur dyluftime të ashpra, të stimuluara këto edhe nga terreni jo i përshtatshëm, ndërsa sulmet e të dyja palëve kanë qenë disi të veçuara nga repartet e tjera. Në repartin ofensiv të mallakastriotëve mundohet të tregojë egon e tij Dimo. Por pa sukses, sepse ka munguar qartësia para portës kundërshtare, ashtu sikurse skuadrat kanë aplikuar lojë difensive të ngjeshur.

Pjesa e dytë Fraksioni i dytë ka nisur me sulme, këtë herë të dyja skuadrat kanë qenë më agresive në ofensivë. Madje edhe Bekim Bala, bomberi i bardhebluve, në pjesën e dytë ka qenë më aktiv, madje ka vënë në vështirësi portën e Frashërit, duke u bërë rreziku kryesor për disa minuta për mbrojtjen vendase.

Por, pavarësisht zëvendësimeve, madje Rubio ka aktivizuar edhe Cikalleshin, blerjen e bujshme deri më tani, rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fund të lojës dhe të dyja skuadrat kanë ndarë nga një pikë në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Për pasojë, të katër skuadrat e Grupit A, Tirana, Kastrioti, Bylisi dhe Kamza, kanë ecur me të njëjtin hap në këtë tur, duke mos shënuar dhe pësuar asnjë gol, çka i mban ato në kuotën e barabartë, duke arritur vetëm nga një pikë. Pritej një Tiranë më e fortë, nisur edhe nga pretendimet për të kapur vendin e parë që kanë kryeqytetasit, por më agresiv dje është treguar Bylisi që me këtë start duket se do të jetë një skuadër akoma më e konsoliduar në fazën e dytë.

Shensoji: Tirana ishte inferiore, Bylisi më i fortë

Vinim në këtë ndeshje pas një periudhe të gjatë stërvitore dhe ishim në një gjendje të mirë psikologjike dhe fizike. Nuk kemi bërë më të mirën tonë, edhe pse dëshira për fitore ndaj skuadrës së Tiranës ishte e madhe. Kundërshtarin e kemi detyruar të luajë në gjysmëfushën e tij, por të them të drejtën më ka zhgënjyer Tirana me mënyrën e lojës së saj e cila nuk na ka rrezikuar seriozisht asnjëherë. Treguam edhe një herë, ambiciet tona si skuadër, madje do të jemi edhe më dinjitozë në fazën e dytë. Po tregojmë se dimë të vëmë në vështirësi cilindo ekip të kampionatit tonë, duke treguar nivel loje dhe përgatitje fizike që nga minuta e parë e deri në fund të ndeshjes.

 

Rubio: Prisja një gol nga sulmuesit, por ishte test i mirë

Erdhëm në Ballsh për të fituar, pavarësisht se ndeshja doli barazim. Për mua, kjo nuk duhet të përkthehet si tragjedi, sepse është ndeshja e parë në këtë grup e Kupës së Shqipërisë. Ne vinim në këtë përballje duke mos zhvilluar asnjë ndeshje miqësore dhe ky ishte testi i parë për skuadrën time për këtë vit. Luajtëm mirë dhe unë i siguroj të gjithë se Tirana është po ajo skuadër e fazës së parë dhe do të jetë e denjë që të synojë të fitojë si titullin kampion ashtu dhe Kupën e Shqipërisë. Kemi një punë të gjatë përpara dhe do të rritemi akoma më shumë si skuadër. Sa i përket aktivizimit të Cikalleshit, unë prisja gol, qoftë edhe një të vetëm. Kjo nuk u realizua dhe sulmi ka ende punë për të bërë, për të qenë aty ku duhet.

Të veçanta

- Në tribunën VIP të stadiumit Adush Muça e kanë ndjekur sfidën ish-presidenti i bardhebluve, Refik Halili, i cili asnjëherë nuk i ndahet Tiranës, pavarësisht pozicionit që ka, pas shndërrimit të klubit në sh.a. Halili dje ka qenë në krah të presidentit ballshiot Besnik Kapllanaj, së bashku edhe me deputetin e Qarkut të Fierit, Enkelejd Alibeaj. Kurse ka munguar administratori i sh.a. Tirana, Salih Tagani.

- Pas ndeshjes, skuadra e Tiranës, me ftesën e donatorit Halili, ka drekuar në kompleksin Gjanica, në dalje të qytetit të Ballshit, ndërsa shpenzimet janë mbuluar nga ish-presidenti i bardhebluve.

- Stadiumi Adush Muça ka pasur një numër të konsiderueshëm spektatorësh, si gjithnjë kur në Ballsh është mysafire skuadra e Tiranës dhe sfidën e djeshme e kanë ndjekur afro 2200 tifozë, ndërsa nuk ka munguar edhe tifo-grupi nga kryeqyteti, Tirona Fanatics.

- Terreni i stadiumit Adush Muça, dje nuk ka qenë në gjendje të mirë,kjo ka penguar të dy ekipet që të dalin në lojën e tyre më të mirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›