E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode refuzon ndihmën e FMN-së

Mbyllet misioni për rishikimin e buxhetit: Shqipëria, hapa pozitive

Fondi Monetar Ndërkombëtar tenton të lidhë një marrëveshje të re financimi me qeverinë, por ministri Ridvan Bode e ka refuzuar, duke thënë se nuk kemi nevojë. Në konferencën e djeshme për shtyp, deklaratat e të tria institucioneve, FMN, ministri dhe BSH, ishin pro ndryshimeve në buxhet, në masën 39 miliardë lekë.

Duke parë një borxh të rritur të qeverisë dhe një situatë të paqëndrueshme financiare ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar i bën edhe një herë ofertë Shqipërisë që të mos e refuzojë ndihmën e tij. “Ne jemi këtu për të ndihmuar. Kemi qenë në të shkuarën dhe vazhdojmë të jemi edhe tani. Në të kaluarën e kemi bërë këtë nëpërmjet programeve të huadhënies, tashmë në këtë pikë e bëjmë më shumë nëpërmjet këshillave teknike. Sigurisht Shqipëria mund të mbështet te ne, se jemi të gatshëm edhe për më shumë. Kështu që nëse do të ketë nevojë edhe për mbështetje financiare apo për siguri, në rast se Shqipëria do të dojë, ne jemi të gatshëm”, u shpreh shefi i misionit për Shqipërinë, Gerwin Bell. Por e menjëhershme ka qenë përgjigjja e ministrit të Financave për këtë propozim të Fondit.

“Sigurisht ne kemi bashkëpunuar me Fondin, por nuk jemi më në kushtet që kemi qenë në vitet e kaluara, për shkak të zhvillimit ekonomik të vendit. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe kjo ka qenë dy herë gjatë këtij viti”, u shpreh Bode. Misioni i FMN-së ka pranuar shkurtimin e shpenzimeve si një mënyrë për të ulur borxhin, por ka këmbëngulur që ky borxh të zbresë 50% brenda vitit 2013, kur qeveria është 4% më lart. Debate ka edhe për mënyrën se si do të ulet ky borxh. Do të jetë vetëm përmes uljes së shpenzimeve apo do të ketë edhe ndërhyrje për të rritur taksat. “Kjo është një çështje politike dhe duhet që për këtë të pyesni ministrin. Në fund të fundit është ai që duhet të zgjidhet nga elektorati shqiptar, nuk jam unë”, tha Bell. Ndërsa guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i ka kujtuar qeverisë se një tjetër mënyrë për të ulur koston e borxhit është që të marrë më pak par nga tregu i brendshëm për të lehtësuar rënien e interesave.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›