Pas Kievit, përurohet stadiumi i Lvivit
Ukraina i ka dhënë një tjetër goditje të gjithë kritikëve dhe skeptikëve që ende vazhdojnë të ngrenë dyshime në lidhje me aftësitë e këtij vendi për të pritur Euro 2012 bashkë me Poloninë. Organizatorët kanë inauguruar një tjetër stadium i cili do të presë ndeshjet e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit europian. Në një ceremoni spektakolare, ku merrnin pjesë mbi 2 mijë vullnetarë, kërcimtarë, këngëtarë dhe aktorë, përfaqësuesit më të lartë të komitetit organizativ të Euro 2012 i kanë treguar botës stadiumin e ri që ndodhet në qytetin perëndimor të Lviv. Impianti i ri ka një kapacitet prej 33 mijë vendesh. Sipas projektuesve të tij, stadiumi është modern dhe plotëson të gjitha kushtet e UEFA-s, ndërsa shumë shpejt do të jenë gati edhe impiantet e dy qyteteve të tjerë ukrainas që do të presin ndeshjet e kampionatit europian të futbollit. Ky stadium është i dyti që inaugurohet nga organizatorët ukrainas, pas atij të kryeqytetit Kiev, ndërsa edhe një herë ceremonia është shoqëruar me protesta të shoqatave feministe, pasi sipas tyre organizimi i Euro 2012-ës do të shtojë prostitucionin në Ukrainë.