E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pas Kosovës, çështja çame "fronti" i fundit

07/02/2005  Miranda Vickers

Edhe pse i shkruar në vitin 1998, libri i Miranda Vickers "Midis serbëve dhe shqiptarve: Një histori e Kosovës", do të botohej në gjuhën shqipe, vetëm pak javë më parë, nga shtëpia botuese "Toena", përkthyer nga Xhevdet Shehu. Vickers ka eksploruar rrënjët e konfliktit dhe kthesën e trajektores në marrdhëniet e viteve të fundit, midis shqiptarve dhe serbëve në Kosovë. Pjesa e parë e librit paraqet Kosovën në fundin e sundimit otoman, kur marrëdhëniet midis dy komuniteteve ishin realtivisht të mira. Pjesa e dytë, eksploron Kosovën që pas vitit 1945, e deri në mesin e viteve '95, duke dhënë një shpjegim mbi aspektet historike sociale, kulturale, etnike dhe fetare të shpërthimit të dhunës serbe, si edhe pasojat e këtij konflikti në situtën politike dhe ekonomike në rajon. Në intervistën dhënë për "Metropol", Vickers, jep opinionet e saj në lidhje më Kosovën dhe statusin e saj, duke u shprehur se "çështja çame, është edhe fronti i fundit kombëtar në Ballkan".

Në librin tuaj, ju shpreheni se serbët kanë qenë minorancë e "përjetëshme" në Kosovë...

Familjet e vogla serbe u vunë përballë familjeve shqiptare më të mëdha në numër. Ky fakt, por edhe arsye të tjera i vunë serbët e Kosovës përballë një fakti konkret: të mos kishin një identitet të tyre, apo edhe çfardo kujdesi nga pjesë tjetër e botës. Ata u ndjenë të manipuluar nga Milosheviçi, madje edhe në këtë moment, Beogradi vazhdon t'i manipulojë ende. Unë kam shumë miq serbë nga Kosova dhe e kuptoj shumë mirë pozicionin e vështirë në të cilin ata ndodhen, gjithmonë si një minoritet. Qëllimi i Beogradit ka konsistuar në koloniazimin si të Kosovës. Por Kolonializimi i parë i këtyre rajoneve në vitet '20-'30, pothuajse dështoi, pasi banorët që u çuan nga Mali i Zi në Kosovë kishin tradita kaq shumë të ngjashme me shqiptarët në të gjitha aspektet. Shumë shpejt malazesët do të krijonin edhe lidhje familjare më shqiptarët nëpërmjet martesave, këshut që prezenca e mirfilltë serbe, u zbeh shumë. Pas Luftës së Dytë, Beogradi vendosi që të çonte në Kosovë serbë të mirfilltë, që përbën edhe kolonializimin e dytë të Kosovës, traditat dhe zakonet e të cilëve ishin shumë të ndryshme nga ato të kosovarëve. Por Kosova vazhdoi të mbetej e izoluar. Rregjimi represiv i Rankoviçit në vitet '60, vendosi mbizotërimin serb në Kosovë në aspektin social e politik. Por ndryshimet konstitucionale të vitit '74, të cilat u jepnin shqiptarve më shumë autonomi, vëtëm sa e përkeqësoi marrëdhënien midis dy komuniteteve, të cilat u ndjenë më të izoluara dhe në grupe të ndara. Kjo u vu re edhe në luftën e '98-'99, ku shqiptarët nuk ishin të gatshëm të mirkuptonin aspektin historik të serbëve, pasi të ngarkuar shumë emocionalisht dhe të zëmëruar nga aktet e Millosheviçit, fakt të cilin unë e kuptoj shumë mirë.

Cilat kanë qenë marrdhëniet e grupit të dytë të kolonëve serbë me shqiptarët e Kosovës?

Në mënyrë absolutë kanë qenë marrëdhënie shumë të këqia. Kjo edhe për vetë faktin, se shtypja serbe në këtë periudhë kohore ka qenë edhe më e egër. Dhe politika e ministrit të punëve të brendshme serbe në vitin '66, e drejtuar nga Aleksandër Rankoviç, ka qenë një ndër më negativet. Shumë shqiptarë u burgosën dhe u përndoqën, fakt që do të çonte në rrënimin total të marrëdhënieve midis dy komuniteteve. Brezat e kosovarëve të rritur e mbajnë mend shumë mirë atë periudhë të egër, ku policia sekrete përndiqte të gjithë dhe kontrollonte gjithçka dhe ku të gjithë nuk i zinin besë askujt. Por ndryshimet e vitit 1974, e përmirësuan ndjeshëm situatën në favor të shqiptarve.

Por gjatë viteve të Rankoviçit përveç përndejkjes, ka patur edhe dëbime masive të shqiptarëve drejt Turqisë, apo edhe vendeve të tjera perëndimore...

Kjo është shumë e vërtetë dhe, madje, është e vështirë të përllogaritet numëri i saktë i shqiptarëve të dëbuar. Në fakt ka patur edhe një marrëveshje midis qeverisë turke dhe asaj jugosllave, në lidhje me këtë fakt. Por ndryshimet në politikën ndërkombëtare në vitet '60, e penguan deportimin e mëtejshëm të kosovarëve drejt Turqisë. Por unë besoj se të paktën 140 mijë kosovarë janë larguar nga Kosova në atë periudhë. E gjitha kjo erdhi si rezultat i përpjekjeve për t'i trajtuar shqiptarët si "musilmanë", pra si turq dhe të njëjtin "interpretim" e gjejmë nga grekët edhe ndaj çamëve.

Mos ndoshta çamët janë në qendër të vëmendjes tuaj...?

Besoj se po. Edhe ky fakt e ka shpjegimin e vet. Personalisht, besoj se ky është edhe "fronti" i fundit në Ballkan, ose e thënë ndryshe çështja e fundit kombëtare që mbetet për t'u zgjidhur në rajon. Natyrisht, që nuk bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, apo urgjencën e zgjidhjes së problemit sikundër në Kosovë, por për një të drejtë morale të çamëve. Mund të them pa frikë, se ka një ngjashmëri me çështjen palestineze. Shumë çamër e dinë me saktësi se ku jane, jo vetëm shtëpitë e tyre, por edhe se ku i kanë fshehur çelësat e shtëpive. Kam fotografuar shumë shtëpi çamësh në Greqi dhe jam përpjekur të gjej pronarët e tyre. Nga ana tjetër kam pyetur edhe shumë njerëz të moshuar nga Çamëria, të cilët i kanë njohur vendbanimet e tyre, tashmë të "banuara" nga grekë. Moralisht këtu ka një problem për zgjidhje. Natyrisht, që nuk besoj se ka shumë çamë që do të donin të jetonin sërish aty, por ata kanë të drejtën mbi pasuritë e tyre të mohuara.

Historiografia dhe poltika greke janë përpjekur të përligjin qëndrimin e tyre ndaj çamëve, duke i akuzuar këta të fundit si kolaboracionistë të gjermanëve. Opinioni juaj në lidhje me këtë çështje?

Natyrisht që ka patur edhe persona që bashkëpunuan. Po të shikosh edhe kontekstin historik, si fashistët italianë ashtu edhe nazistët premtuan bashkimin e të gjithë shqiptarëve, përfshi edhe Kosovën, në një shtet të vetëm. Kjo propagandë bindi, si çamë ashtu edhe kosovarë të bashkëpunonin, madje edhe "Balli Kombëtar" në Shqipëri, e besoi këtë propagandë. Jo të gjithë çamët bashkëpunuan dhe grekët nuk i përndoqën më të njëjtën forcë çamët ortodoksë, sikundër vepruan me atë muslimanë. Duke pastur parasysh historinë e Ballkanit mund të kuptosh shumë mirë përse mentaliteti grek ishte aq agresiv ndaj çamëve muslimanë. Pavarësisht, se grekët mund të kishin humbur besimin ndaj tyre, nuk mund të përligjet politika e ndjekur prej tyre. Prandaj besoj se duhet të ketë kompesime edhe morale.

Çështja çame "fronti" i fundit, por statusi i Kosovës...?

Pa një zgjidhje përfundimtare të statusit të Kosovës asgjë nuk mund të përmirësohet në Ballkan. Edhe në aspektin ekonomik i gjithë rajoni nuk mund të konsiderohet i sigurtë. Shumë janë të bindur se Kosova është një burim destabiliteti, gjë që frenon hapjen ekonomike. Personalisht jam e bindur se për një zhvillim ekonomik dhe demokratik të rajonit, duhet të ketë një Kosovë të pavarur. Po sipas mendimit tim, kosovarët duan të jenë të pavarur dhe këtu nënkuptoj, se ata nuk duan të jenë në të njëjtin shtet me Shqipërinë. Fakti se kosovarët dhe shqiptarët kanë jetuar për një kohë të gjatë të ndarë, duke krijuar shumë ndryshime edhe në traditë, është një shpjegim përse e besoj atë që sapo thashë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›