E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trefishohet çmimi i udhëtimit Tiranë-Kukës

07/02/2005  Fillon të shfaqet gripi mes banorëve

KUKËS - Vështirësitë e krijuara nga dëbora e ngrica në rrugët lidhëse të qytetit të Kukësit me rrethet e tjera, kanë filluar ti shfrytëzojnë shoferët e automjeteve me fuqi motorike të madhe. Shumë fuoristrada, të cilat mund të udhëtojnë drejt Tiranës, kanë trefishuar çmimin e biletës. Nga 10 mijë lekë (të vjetra) që ishte ishte çmimi i një udhëtimi nga qytetit verior në drejtim të kryeqytetit, tashmë drejtuesit e makinave marrin 30 mijë lekë (të vjetra) për person. Kërkesa e madhe e pasagjerëve dhe reduktimi i lëvizjes së mjeteve të linjës, ka favorizuar shoferët e makinave të mëdha apo të atyre tip fuoristradë, që të përfitojnë nga moti i ftohtë dhe dëbora e madhe, e cila ka vështirësuar lëvizjen e furgonëve dhe autobusëve. Ky fenomen është vënë re ditët e fundit, ku çdo personi që i është paraqitur nevoja të niset drejt Tiranës, i duhet të paguajë tridhjetë mijë lekë të vjetra dhe më pas, të ndërmarrë një udhëtim të rrezikshëm që zgjat më shumë se 10 orë.

Ndërkohë, dëbora e ngrica kanë sjellë dhe gripin në qytetin e Kukësit. Burime nga spitali i këtij qyteti, kanë bërë të ditur se janë shtuar rastet e prekjes nga gripi, i cili stimulohet nga të ftohtit. Janë rreth 20 vizita në urgjencë, kryesisht fëmijë, të cilët paraqiten me temperatura të larta, kollë dhe dhimbje gjoksi, simptoma të një gripi tipik.

“Nuk bëhet fjalë për epidemi gripale, por rekomandojmë që sidomos fëmijët, të mbahen në kushte të ngrohti brënda, pasi ky lloj gripi, mund të shoqërohet edhe me pasoja anësore dhe komplikacione,- kanë thënë dje për gazetën “Metropol”, burimet mjekësore spitalore.

Ndërkohë, burimet e shtabit të emergjencës, bëjnë të ditur në lidhje me situatën shëndetësore të banorëve të izoluar të disa komunave të thella të Kukësit, se vetëm gjatë ditës së djeshme janë paraqitur tre raste urgjente që janë transportuar me helikopter drejt Tiranës. Transportimi i tyre me helikopter, është bërë me shumë vështirësi, pasi kushtet e motit janë shumë të vështira për uljen e helikopterit.

”Është detyruar të bëjë dy fluturime helikopteri nga Tirana, për të marrë dy të sëmurë në Radomirë dhe një në Vilë, pasi me orë të tëra nuk ka mundur të ulet nga erërat dhe mjergulla”,-nënvizojnë burimet e shtabit të emergjencës.

Ndërkaq, vazhdojnë të mbeten të izoluar shumica e komunave të Kukësit, Arrën, Kalis, Topojan, Bushtricë, Grykë e Çajës, Shishtavec, pasi rrugët rurale që i lidhin me qytetin janë të bllokuara nga dëbora që me datën 23 janar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›