E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Metës, edhe Tadiç viziton Luginën e Preshevës

Presidenti serb Tadiç viziton Luginën e Preshevës, pa u mbushur as një muaj nga vizita e suksesshme që bëri atje zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar Ilir Meta. Presidenti i Serbisë, Tadiç, u bëri thirrje shqiptarëve (të Luginës së Preshevës) të formojnë Këshillin e tyre Kombëtar, e në këtë mënyrë, të ndërmarrin vetë përgjegjësinë për zhvillimin e shtetit në të cilin jetojnë. ''Dëshiroj t'i inkurajoj shqiptarët tanë për të marrë pjesë në institucionet e tyre kombëtare në Serbi, për shkak se kjo (Serbia) është vendi dhe shtëpia e tyre'', - ka thënë Presidenti Tadiç gjatë bisedës së sipërpërmendur. Gjithashtu, Tadiç premtoi se përveç Fakultetit të Medvegjës të hapet Fakulteti i Gjuhës Shqipe edhe në Preshevë e Bujanovc. Në këtë mënyrë, Presidenti Tadiç përçon në Luginën e Preshevës të njëjtin mesazh që çoi atje edhe z. Meta për shqiptarët e Serbisë, që një perspektivë e re po hapet edhe për Luginën e Preshevës, ashtu siç u hap për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd. Mediat serbe Tanjug dhe B92 shkruajnë se në kuadër të një vizite në qytetin e Medvegjës, Presidenti i Serbisë, B. Tadiç, është takuar dhe ka zhvilluar bisedime me studentë të Fakultetit Ekonomik dhe atij Juridik në këtë qytet (degë e Universitetit të Nishit), si dhe ka marrë pjesë në hapjen e minierës së arit, plumbit dhe të zinkut, në vendin e quajtur ''Lece'', në afërsi të Medvegjës. Të pranishëm ishin edhe studentë shqiptarë. Kjo vizitë ndodh ndërkohe që zv.sekretari i Shtetit të SHBA Steinberg ndodhet në Beograd. Gjithashtu, gjatë takimit me komunitetin shqiptar që jeton atje, Presidenti serb Boris Tadiç deklaroi se ishte i shqetësuar për diferencat e mëdha ekonomike ndërmjet veriut dhe jugut të vendit. Tadiç mori pjesë edhe në nisjen e punimeve të një miniere të re zinku në Medvegjë, ku ai u shpreh se Serbia jugore ka potencialin për të zhvilluar nëse do të investohet në sektorin e minierave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›