E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Durrës: Në protestë jo vetëm për kutitë

Socialistët kanë zgjedhur zonën e Kënetës në Durrës për të protestuar dhe duke qenë se dega e këtij qyteti është pa kryetar, ka qenë i pranishëm kryesocialisti Edi Rama. Megjithëse me një pjesëmarrje jo të kënaqshme, Rama ka kërkuar që jo vetëm socialistët ti bashkohen këtij aksioni të PS-së, por dhe demokratët. Këtu nuk është çështja se si mendojnë disa që janë socialistë e disa që janë demokratë. Këtu çështja është që qofshin ata që janë dhe ndihen socialistë, qofshin ata që ndihen dhe janë demokratë, në këtë zonë jetojnë me të njëjtat probleme që i kanë hasur qysh sa kanë ardhur, jetojnë me të njëjtat pamundësi dhe ndërkohë vitet ikin, - tha Rama. Në këtë mënyrë pas shumë muajsh, Rama po tenton ti rikthehet tezës së tij për mbështetje përtej së majtës e së djathtës. Dega e Durrësit ka qenë e përçarë prej disa muajsh për shkak se ska një kryetar legjitim dhe ka dy linja të kundërta brenda saj, por Rama ka mbetur neglizhent ndaj këtij problemi. Ai ka preferuar të japë dje një tablo tjetër, të socialistëve të Durrësit që protestojnë. Më tej kryesocialisti që nuk ka ndjekur nga afër protesta të tjera gjatë këtij muaji, ka këmbëngulur në synimin për të rrëzuar qeverinë. Ai sqaroi se nuk kërkonte ndryshim rezultati me hapjen e kutive, por shtoi: Ne nuk kërkojmë që kutitë e votimit të hapen për të marrë pushtetin në tavolinë, por ne kërkojmë që kutitë e votimit të hapen për ti rikthyer popullit, për ti rikthyer secilit prej jush të drejtën e vetme sublime që ka qytetari në demokraci për ta gjykuar qeverinë dhe për ta zgjedhur atë. Rama i ka ftuar të pranishmit në tubimin e djeshëm që të jenë më 30 prill në Tiranë me tri synime, për të hapur kutitë, për të larguar qeverinë, për të ndalur rrënimin ekonomik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›