E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Pashkëve, radhë të gjata në kufirin grek

Kapshticë Fqinjët punojnë ngadalë. Makinat bëjnë rresht 2 kilometra

Kthimi i emigrantëve drejt Greqisë pas festës së Pashkës ka bërë që në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës të rikthehen radhët e gjata, që kanë arritur në më shumë se 2 kilometra. Për pasojë policia është detyruar të ngrejë postblloqe për të disiplinuar lëvizjet në rrugë në afërsi të kufirit. Në zonën brenda territorit doganor, sportelet kanë kryer veprimet paralelisht në gjashtë sportele, por pa mundur të minimizojnë radhët e shumta në automjete. Vetëm në brendësi të territorit doganor janë krijuar katër radhë paralele, ndërkohë që një prej tyre është hapur për kalimin e autobusëve me pasagjerë. Sipas të dhënave zyrtare të policisë kufitare, në të gjashtë sportelet janë regjistruar që nga mëngjesi i së hënës deri në orët e pasdites të paktën 6500 shtetas me mbi 3200 mjete. Ndërkohë, për shkak të procedurave të kontrollit, ka pasur vonesa nga pala greke, edhe pse kjo e fundit ka hapur tre sportele. Në orët e mesditës, të paktën 600 mjete kanë qenë në radhë dhe shumë nga emigrantët janë shprehur se për shkak të vonesave në procedura do të kalojnë natën në kufi. Sipas të dhënave nga policia kufitare, dita e hënë ka pasur lëvizjet më të shumta, por një valë tjetër fluksi pritet edhe në fundjavë për faktin se javën e ardhshme nxënësit fillojnë mësimin pas pushimeve dyjavore për festën fetare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›