E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy fqinjët mbyllin mosmarrëveshjet për kufirin

Integrimi Sllovenia i hap rrugën plotësisht Kroacisë për në BE

Sllovenia i hoqi të gjitha pengesat e saj në rrugën e Kroacisë drejt anëtarësimit në BE, kështu që tani ky vend (Kroacia) do të mund të realizojë të gjithë kapitujt e bisedimeve të tij me BE-në. Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, e siguroi personalisht homologen e tij kroate, Jadranka Kosor, se rruga e Kroacisë drejt BE-së tanimë është e drejtë dhe e hapur. “Deri në përfundim të Presidencës spanjolle të BE-së presim hapjen e të gjithë kapitujve të bisedimeve dhe mbylljen e shumicës së tyre, duke qenë se Kroacia pjesën e vet të detyrave të shtëpisë e ka kryer tanimë”, deklaroi Kryeministri Pahor, duke hapur së bashku, ditët e fundit, me Kryeministren kroate në Zagreb një ekspozitë të përbashkët të dizajnerëve kroatë dhe sllovenë. Këtë gjest të vullnetit të mirë të Sllovenisë, Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, sikurse shkruante dje shtypi kroat, e komentoi duke theksuar, midis të tjerave, se të dyja vendet (Kroacia dhe Sllovenia), që vetëm kohët e fundit i ndanin grindje e mosmarrëveshje, “tani po shndërrohen në aleatë të vërtetë”. Znj. Kosor vuri në dukje se ajo është optimiste se Kroacia do t’i përmbushë të gjitha angazhimet e axhendës europiane dhe shumë shpejt, në një të ardhme të afërt, do t’u bashkohet shteteve të tjera të BE-së. Kështu, sikurse vë në dukje me kënaqësi shtypi kroat, Kryeministri slloven, Pahor, e shfrytëzoi vizitën e tij në Zagreb që ta informonte znj. Kosor se Sllovenia hiqte veton nga të gjithë kapitujt e fundit që kishin të bënin me politikën e jashtme dhe përfshinin edhe Slloveninë. Vizita e Kryeministrit slloven në kryeqytetin kroat pasoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë që i dha “dritën e gjelbër” marrëveshjes slloveno-kroate për zgjidhjen e çështjes së kufirit detar mes të dyja vendeve që, sikurse dihet, i acaroi mjaft marrëdhëniet e ndërsjella, duke çuar deri atje saqë Sllovenia vuri veton në rrugën e Kroacisë drejt BE-së. BE-ja e ka përshëndetur zgjidhjen e konfliktit të lartpërmendur mes Sllovenisë dhe Kroacisë, duke theksuar se ajo duhet të jetë model për zgjidhjen e mosmarrëveshje dypalëshe mes vendeve të rajonit të Ballkanit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›