E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peroviç: Shqipëria e Madhe, jo politikë e Tiranës

Ambasadori malazez

Ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Zhelko Peroviç, në një prononcim për gazetën e përditshme serbe “Danas”, vuri në dukje ditët e fundit se e ashtuquajtura Shqipëria e Madhe nuk është politikë zyrtare e Tiranës. “Politika zyrtare e Shqipërisë, me asnjë gjest të saj, me asnjë deklaratë të saj të cilido qoftë zyrtari të nivelit të lartë ose të ulët të saj nuk ka treguar kurrfarë pretendimi të tillë”, deklaroi z. Peroviç lidhur me botimin kohët e fundit në Tiranë të librit “Platforma e Shqipërisë Natyrale” me autor Koço Danaj, sipas të cilit territoret, në të cilët jetojnë shqiptarët jashtë Shqipërisë, do të duhej që deri në vitin 2013 t’i bashkoheshin “Shqipërisë natyrale”, përfshi ata (shqiptarët) në Malin e Zi, Maqedoni, Greqi dhe Kosovë. Sipas ambasadorit malazez në Shqipëri, autori i librit të lartpërmendur nuk është person zyrtar dhe se në promovimet e tij nuk vijnë njerëz nga bota universitare. Sidoqoftë, sikurse vë në dukje gazeta “Danas”, kryetari i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Malin e Zi, Mehmed Bardhi, konsideron se autori i librit “Platforma e Shqipërisë Natyrale” është një njohës i shkëlqyer i çështjes kombëtare shqiptare. Sipas z. Bardhi, çështja kombëtare shqiptare nuk është zgjidhur ende.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›