Pas Vangjelit, nga Arisi largohet edhe Stiv Frashëri
Pas mbrojtësit Kristi Vangjeli, një tjetër lojtar shqiptar nuk është më në planet e Arisit të Selanikut për sezonin e ri me të “verdhët” e Greqisë. Portieri 20-vjeçar, Stiv Frashëri (i rritur te Skënderbeu), zgjidhi në mirëkuptim të plotë kontratën me Arisin. Lajmi u dha përmes një komunikate të klubit grek, që thekson se “Frashëri, i cili është në ekip nga sezoni 2008-2009, nuk ka qenë i aftë të tregojë se vlen për klubin”. Me një gjuhë diplomatike, drejtuesit e Arisit e falënderojnë për atë që ka bërë për ekipin deri tani dhe i urojnë lojtarit suksese në karrierën e tij. Gjithsesi, faqja greke Contra.gr thekson se, pavarësisht se portieri i ri i kishte bërë një përshtypje të mirë trajnerit argjentinas të Arisit, Hektor Kuper, ai nuk do të jetë pjesë e ‘roster’-it të skuadrës selanikase. Frashëri është lojtari i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, më të cilën ende nuk ka mundur që të vihet në dukje gjatë këtyre pak ndeshjeve i grumbulluar.
#