Van Gal: Champions League? Barcelona, favoritja ime
“Skuadra më e mirë e Europës? Barcelona”. Kjo është fjala e Luis van Gal. Nëse e pyesni se cilët janë favoritët e Champions League, trajneri i Bajernit përgjigjet saktë, siç kishte thënë edhe majin e shkuar, para finales së humbur ndaj Interit: “Dy finalistet e edicionit 2009-‘10 nuk janë klubet më të forta në qarkullim. Por, jo gjithmonë fiton më i miri, ndryshe i binte që në këto vite të kishte fituar gjithnjë Barcelona. çelsi dhe Mançester Junajtid janë në të njëjtin nivel me Barçën, pastaj vijnë disa skuadra të cilat janë një shkallë më poshtë. I referohem skuadrës sime, Bajernit, Interit, Lionit dhe Realit të Madridit. Por ky është thjesht një gjykim i imi i përgjithshëm, pastaj duhet të shikojmë se çfarë do të ndodhë në fushë. Falë aftësive, bashkangjitur me fatin, hierarkitë mund të ndryshojnë”.
Murinjo dhe Inter – Pra për Van Galin, kampionët aktualë të Europës nuk janë skuadra për t’u mundur në edicionin e ardhshëm, e cila do të çojnë dy ekipe në finalen e Uembllit 2011: “E di mirë që nuk e kam dashuruar kurrë stilin e lojës së Interit të Murinjos, edhe pse kam qenë i pari që e kam miratuar faktin që kanë krijuar një skuadër të organizuar dhe fituese. Tani të shikojmë se çfarë do të bëjë Benitezi, por nuk mendoj se filozofia e lojës interiste do të ndryshojë shumë. Për më tepër, mendoj se Reali i Madridit ka bërë një hap përpara me Zhozenë në pankinë. është tipi i trajnerit, i cili mundet ta rizgjojë Realin në Europë, ku ka dështuar në vitet e fundit”.
Futbolli dhe teknologjia – Ky do të jetë një Champions League sipas vendimeve të IFAB-së, të pranuara nga UEFA, që do të përjetojë eksperimentimin e dy asistentëve në linjën e portës. Por Van Gal, prej kohësh mbështetës i teknologjisë së aplikuar në futboll, nuk duket shumë i kënaqur: “është një vendim i cili nuk na bën të ecim përpara drejt një futbolli më të besueshëm. Shtimi i personave që marrin vendime në fushë mund të reduktojë përqindjen e gabimeve, por nuk i eliminon, sepse syri njerëzor është i gabueshëm gjithsesi”.
Vera bavareze – Gjithsesi, në pritje të rinisjes së sfidave europiane, Bajerni është duke u përgatitur për t’u rikthyer në një ekip kompakt. është për t’u zgjidhur çështja e drejtësisë në lidhje me Riberinë (për më tepër të dëmtuar) dhe për t’u vuajtur koha e miqësoreve të gushtit për kombëtaret, të cilat do ta privojnë sërish trajnerin holandez nga disa prej lojtarëve më të rëndësishëm. Por bavarezët janë të gatshëm të intensifikojnë fazën përgatitore. Pasi janë larguar nga Riva del Garda dhe Arko, ku kanë qëndruar për rreth gjashtë ditë, nënkampionët e Europës janë kthyer në Gjermani. Objektivi i sezonit është ai që nënvizon Van Gali: “Do të punojmë për të bërë diçka të madhe. Dëshirojmë që publiku të admirojë një skuadër që fiton dhe bën spektakël. Vetëm kështu mund të hyjmë në histori”.
#