Pas Zorba-s Festivali i Bandave Frymore
Të vesh në skenë një pjesë të re është gjithmonë një sfidë për një regjisor, një sfidë që merr përmasa më të mëdha emocionale dhe teknike kur bëhet fjalë për një vepër me një ndërtim kompleks. Por kur “sipërmarrja” del me sukses kënaqësia shpaguan gjithçka.
“Zorba” për ata që e interpretuan dhe ata që e ndoqën në skenën e TOB ishte shumë më tepër se një balet. “është e para vepër e plotë greke që luhet në skenën tonë dhe në njëfarë mënyre përcjell edhe një marrëdhënie të gjatë mes Greqisë dhe Shqipërisë, një marrëdhënie në fushën e artit. është një vepër që duke qenë njëherazi tradicionale dhe universale flet për vlerat që kanë dhënë dhe marrë artistët grekë dhe shqiptarë nga njëri-tjetri dhe për ato të përbashkëta që kanë kulturat tona”, thotë dirigjenti i veprës, Edmond Doko, pas shfaqjes së saj të fundit. I familjarizuar me muzikën greke, interpretues i disa pjesëve të famshme të kompozitorëve grekë në Shqipëri dhe në Athinë, Z.Doko shprehet se interpretimi i solistëve dhe i trupave përbërëse ishte i një niveli të lartë. “Ishte një sfidë jo vetëm për anën muzikore, por edhe për baletin, korin dhe solistët vokalë. Të gjitha pjesët qenë ndërthurur në mënyrë plotësuese dhe harmonike madje po të asistojë në sallë me symbyllur muzika të ngjante me një orator të madh popullor. Sfida më e madhe në këtë pjesë ishte pikërisht gërshetimi i të gjithë elementëve dhe në këtë pikë lehtësia më e madhe erdhi pikërisht nga lehtësia që kemi si kombe për të kuptuar njëri-tjetrin. Kështu në orkestër ishin edhe dy buzuk që luheshin nga dy shqiptarë, të cilët nuk dallonin nga grekët, apo edhe Manjola Nallbani që këndoi romanca në greqisht dukej sikur ishte një greke e vërtetë”, thotë Doko. Ai vetë kishte avantazhin që duke e njohur mirë muzikën greke të kishte interpretuar edhe më parë pjesë të këtij baleti është i lumtur që shfaqjet shkuan shumë mirë dhe madje si rrallëherë spektatorët e sallës në fund të tyre kanë duartrokitur gjatë. Meritë e këtij suksesi ishte sipas regjisorit edhe ndihma e çmuar e asistentit Panajot Vlahos. Regjisori i TOB me një repertor të shumëllojshëm në CV-në e tij artistike është edhe organizator i Festivalit të Orkestrave Frymore, që këtë vit është në edicionin e tij të pestë. I mbështetur në çdo edicion të tij nga pushteti lokal i Sarandës ky festival i shndërruar tashmë në një traditë është një nga evenimentet më të shumëpritura që zhvillohen në bregdet në stinën e verës. Për pushuesit e shumtë që e ndjekin festivalin gjatë 5 ditëve të zhvillimit të tij është kënaqësi që të ndjekin një gërshetim të traditës me të renë përmes bandave të shumta frymore që marrin pjesë dhe që janë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga vende të ndryshme të botës. është një traditë mbi 100-vjeçare që është rizgjuar së bashku me krenarinë për një trashëgimi të tillë dhe kjo përmes dirigjentëve dhe interpretuesve pjesëmarrës në këtë aktivitet si Pandi Bello, Halim Teqja, Eduard Banushaj. Për sa u përket orkestrave frymore ato janë themeli i muzikës së kultivuar kombëtare, por kanë edhe një ndikim të pamohueshëm në formimin e fytyrës europiane të qyteteve tona.
#