Berisha: 2 korriku i parapriu themelimit të PD
Partia Demokratike ka përkujtuar dje në mënyrë festive 2 korrikun e vitit 1990, i cili solli hapjen e ambasadave në kryeqytetin shqiptar. Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur Qytetin Studenti për të festuar ngjarjen historike që sipas tij hapi dyert e lirisë për të gjithë vendin. “Sot kremtojmë një ditë të madhe, kur djemtë dhe vajzat e Tiranës, me një guxim të pashembullt i shndërruan rrugët e kryeqytetit, në legjendare për dinjitet. Njerëz të thjeshtë, marangozë, hidraulikë, të papunë, ishin kreshnikë të vërtetë në guximin e tyre ditën e 2 korrikut 1990, pasi të gjithë së bashku u ngritën me një trimëri të paparë, duke u dhënë zemër shqiptarëve që përjetonin frikën e tmerrin më të madh dhe duke i dhënë mesazh botës se ky komb nuk ndalej e se ishte i gatshëm për çdo sakrificë në emër të lirisë së tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, kjo datë përfaqëson rënien e Murit të Berlinit në Tiranë, një simbol që nëse për Lindjen nënkuptonte ndarjen, për Shqipërinë shkonte më tej, tek izolimi. Në përputhje me stilin e vet, Berisha nuk ka munguar që t’u bëjë homazh cilësive të qytetarëve shqiptarë, të cilët në 2 korrik 1990 thyen jo vetëm vetizolomin 45–vjeçar, por edhe gjykimin e përgjithshëm rreth vullnetit për liri të tyre. “20 vjet më parë askush nuk do të besonte se shqiptarët do të merrnin guximin të hidhnin Perden e Hekurt. Ata vazhduan për ditë të tëra sulmin e tyre për botë të lirë”, nënvizoi Berisha. Si një goditje e parë që tronditi fort themelet e pushtetit të asaj kohe në Shqipëri, hapja e ambasadave shërbeu si katalizator për zhvillimet politike të fund vitit ’90 ku edhe lindi pluralizmi shqiptar. Analiza me sens retrospektiv i ka lejuar Berishës që të bëjë një homologim të ngjarjeve, të cilat në një kontekst të caktuar i japin kredo politike mazhorancës aktuale. “Në dhjetor ’90 do të vazhdonte uragani i studentëve me në krye Azem Hajdarin”. Ka përmendur ai edhe emrin e eksponentit të njohur të zhvillimeve demokratike të viteve ’90”, theksoi Kryeministri. Pa asnjë dyshim kremtimi për herë të parë i 2 korrikut përbën një gjetje politike nga ana e kreut të qeverisë aktuale, e cila pret në vjeshtë hapjen e dritës jeshile për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. E njohur në parim si Lëvizja e Lirë, ky akt që ka për protagonist politik në Tiranë, Partinë Demokratike, e gjen 2 korrikun si një simbol që ushqen imagjinatën kolektive të qytetarëve me suksesin e qeverisë së tanishme, e cila me gojën e Kryeministrit flet për “përmbushje të ëndrrës për liri”. “Sonte përulemi me nderim të madh përpara heronjve të 2 korrikut që shkallmuan dyert për lirinë e shqiptarëve. Sot pas 20 vitesh është jo dekada, por shekuj larg Shqipërisë së 20 viteve më parë”, u shpreh Berisha në një dalje skenike që synon aktualizimin politik të historisë së re të Shqipërisë.
#